Ndërlidhjet

Shkelja e armëpushimit, Azerbajxhani njofton për katër ushtarë të vrarë


Ushtarët azerbajxhanas patrullojnë në një pikë kontrolli në një rrugë jashtë qytetit të Shushi (Susa), 26 nëntor 2020.
Ushtarët azerbajxhanas patrullojnë në një pikë kontrolli në një rrugë jashtë qytetit të Shushi (Susa), 26 nëntor 2020.

Zyrtarët e mbrojtjes të Azerbajxhanit thanë se 4 ushtarë u vranë në luftimet e fundit në Nagorno Karabak.

Luftimet shkelen armëpushimin e arritur muajin e kaluar që i dha fund konfliktit në shkallë të gjerë.

Ende nuk ka një reagim nga Armenia, ose aleatët e saj etnikë armenë ndaj deklaratës së lëshuar më 13 dhjetor nga Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.

Deklarata azerbajxhanase nuk bëri të ditura shumë detaje, por vetëm njoftoi se vrasjet ndodhën gjatë një "operacioni anti-terrorizëm" pranë Hadrut, një rajon jugor i enklavës malore.

Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë akuzoi forcat azerbajxhanase për sulmin ndaj pozicioneve të mbajtura nga forcat etnike-armene pranë Hadrut.

Ushtria e Mbrojtjes e Karabakut, forca luftarake e administratës etnike armene që kontrollonte Nagorno Karabakun deri në armëpushimin e muajit të kaluar, tha më parë se tre luftëtarë të saj u plagosën në përleshjet që ndodhën më 11 dhjetor.

Paqeruajtësit rusë që monitorojnë marrëveshjen pranuan shkeljen e armëpushimit në Hadrut, por nuk thanë se kush ishte fajtor.

Nagorno Karabaku i përket Azerbajxhanit, por territori dhe disa zona përreth janë kontrolluar nga forcat etnike armene që nga fillimi i viteve 1990.

Të dyja palët janë përleshur rregullisht, por në shtator, Azerbajxhani nisi një fushatë ushtarake që rezultoi me marrjen e kontrollit të pjesës më të madhe të Nagorno Karabakut dhe rajoneve përreth.

Palët ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia në fillim të nëntorit. Marrëveshja mundësoi vendosjen e 2.000 forcave paqeruajtëse ruse në zonën e konfliktit.

XS
SM
MD
LG