Ndërlidhjet

Rënia e qarkullimit vjetor në Kosovë 1.2 miliardë euro


Një biznes i mbyllur gjatë pandemisë në Kosovë. Prishtinë, korrik 2020.
Një biznes i mbyllur gjatë pandemisë në Kosovë. Prishtinë, korrik 2020.

Pandemia e COVID-19 ka ndikuar në rënien e qarkullimit vjetor në Kosovë dhe mbledhjen e tatimeve.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës, Ekrem Hysenaj tha se “nga marsi deri në tetor ka pasur rënie të qarkullimit 1.2 miliardë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti në Administratën Tatimore të Kosovës.

Sipas, Hysenajt, nga periudha janar-nëntor, ATK-ja ka inkasuar 426.6 milionë euro, 39 milionë më pak se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.

“Sektorët që më së shumti janë atakuar gjatë kësaj periudhe i kemi sektorët e argëtimit dhe rekreacionit, sektori i patundshmërisë dhe sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor”, tha Hysenaj.

Kryeministri Hoti tha se institucionet e vendit janë munduar që përmes pakos së rimëkëmbjes ekonomike dhe ligjit për rimëkëmbje të kompenzojnë bizneset nga ndikimi negativ i pandemisë.

“Kam formuar grup punues për pakon e re fiskale që do të finalizohet në fillim të janarit. Në bazë të diskutimeve me komunitetin e biznesit për të dalë me masa të teja të politikave fiskale”, tha Hoti.

Më herët zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbi 182 milionë euro ka paraparë Qeveria e Kosovës në Projektbuxhetin për vitin 2021, në Programin për rimëkëmbje ekonomike, që ka për qëllim përkrahjen e bizneseve që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi.

Nga vlera e përgjithshme prej 182 milionë eurove, pjesa më e madhe, sipas Krasniqit, është dedikuar për kategorinë subvencione dhe transfere, që përbën 54 për qind ose 114 milionë euro dhe për shëndetësi 30 milionë euro. Shuma të tjera do të ndahen për komuna, investime kapitale dhe të tjera.

Por, përfaqësuesit e subjekteve ekonomike në Kosovë, Agim Shahini dhe Berat Rukiqi, theksojnë se shuma e mjeteve është e pamjaftueshme, por megjithatë kërkojnë që shpërndarja të realizohet në rastin më të shpejtë, pas miratimit të Projektbuxhetit.

XS
SM
MD
LG