Ndërlidhjet

Pandemia lë pa punë punëtorët me kontrata mbi vepër


Shkup, dhjetor 2020

Nga Lidhja e Sindikatave në Maqedoninë e Veriut thonë se pjesa më e madhe e ankesave të punëtorëve, të cilët e kanë humbur vendin e punës si rrjedhojë e krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, ka të bëjë me marrëveshjet e punëtorëve me kontrata pune në afat të caktuar, pasi pas përfundimit të kontratës punëdhënësi nuk obligohet t’i mbajë në pune.

Darko Dimovski, kryetar i Lidhjes së Sindikatave në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për marrëdhënie pune duhet të pësojë sa më parë ndryshime pasi punëdhënësit po i keqpërdorin zbrazëtirat ligjore në kurriz të punëtorëve, veçanërisht për ata që kanë kontrata pune me kohë të caktuar.

Sindikalistët thonë se keqpërdorimi bëhet në atë se aktualisht kontratat e afatizuara mund të bëhen deri në pesë vjet, andaj propozojnë që kontrata e afatizuar të jetë maksimumi një vit dhe për punëtorët që ka nevojë kompania e caktuar, të bëjë kontrata pa afat të caktuar kohor pasi në këtë rast nëse një punëtor largohet nga puna, ai gëzon dhe privilegje financiare për një kohë të caktuar.

“Për momentin, jemi duke punuar për një ligj të ri për marrëdhënie të punës. Nga ekipi i Lidhjes së Sindikatave, edhe krahas pandemisë, takohen rregullisht me Organizatën e Punëdhënësve, Ministrinë e Punës dhe të Politikës Sociale, me qëllim që të përgatisim ligj të ri për marrëdhënie të punës, ku do të kemi situatë të pastër, përkatësisht këto padrejtësi, të cilat momentalisht i pësojmë mbi bazë të Ligjit ekzistues, të jenë të korrigjuara. Një prej angazhimeve tona në ligjin e ri, përkatësisht të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, është pikërisht ajo kontratë në kohë të caktuar të mos jetë më e gjatë se një vit”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Dimovski.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpanska, bën të ditur se dikasteri që drejton është duke punuar në hartimin e një ligji për marrëdhënie pune megjithëse i njëjti pritet të miratohet gjatë vitit të ardhshëm pasi ligji aktual i miratuar në vitin 2005 megjithëse ka pësuar ndryshime 24 herë deri më sot, ka treguar dobësi të shumta në problemet, me të cilat ballafaqohen punëtorët.

Por, ish-drejtori i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Arben Halili, për Radion Evropa e Lirë thotë se ligji aktual nuk është i keq, por problemi është se i njëjti nuk zbatohet, si dhe nuk vepron Inspektorati i Punës.

“Ajo që paraqitet si ankesë nga ana e sindikatave përkatësisht se pse punëdhënësit të parët i largojnë personat me kontrata mbi vepër, duhet pasur të qartë se asnjë punëdhënës nuk është i interesuar të largojë nga puna asnjë të punësuar, i cili është i zellshëm dhe i cili sigurisht se do t’i kontribuonte me vetë prodhimtarinë e tij zhvillimit të kompanisë".

" Gjithsesi, besoj se duhet pasur një mirëkuptim nga ana e të dy palëve, punëtorë-punëdhënës, por në qoftë se paraqitet rrezik për sa i përket mosmbulimit të fuqisë punëtore, besoj se më parimore, më korrekte është që pak para kohe t` ia ndërpresë kontratën e punës sesa kushtimisht thënë ta keqpërdorë, ta sjellë në punë dhe mos t’i japë pagë për disa muaj”, thotë Halili.

Lidhja e Sindikatave në Maqedoninë e Veriut ka kërkuar që punëtorët e sëmurë nga koronavirusi , COVID-19, punëtorët të cilët janë në izolim apo në vetë-izolim për shkak të ekspozimit ndaj COVID-19, t'u paguhet kompensim i rrogës për pushim mjekësor, përkatësisht kompensim për sëmundje profesionale në vlerë prej 100 për qind dhe kjo të inkorporohet në Ligjin e ri për marrëdhënie pune.

“Krahas kontratës për punë në kohë të caktuar, në Ligjin për marrëdhënie pune ne insistojmë që COVID-19 të jetë sëmundje profesionale, për të cilën sëmundje paguhet 100 për qind, pa marrë parasysh se a je prekur nga COVID-19, apo je në vetë-izolim, me vendim nga institucionet kompetente. Përse e kërkojmë këtë dhe përse konsiderojmë se kjo është e domosdoshme? E dimë që rrogat në sektorin privat janë në një nivel shumë të ulët dhe nëse shkojnë në pushim mjekësor për shkak të izolimit, paga zvogëlohet nga 20 deri në 30 për qind, dhe në kushte të këtilla shumica e fshehin dhe shkojnë në punë edhe pse duhet të izolohen ose janë infektuar me simptoma të lehta. Pra, një pjesë e madhe e punëtorëve me paga të ulëta, rrezikojnë të punojnë sepse nuk arrijnë t` ia dalin në fund të muajit me një pagë minimale”, thekson Dimovski.

Por, afaristët thonë se kompanitë në vend nuk janë në gjendje të përballojnë kërkesën e sindikalistëve.

Afaristi Mirçe Çekrexhi, i cili ka drejtuar Lidhjen e Odave të Maqedonisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se është njerëzore të ndihmohen punëtorët megjithëse e pamundur në këtë situatë kur pjesa më e madhe e kompanive janë në kufij të mbijetesës.

“Në aspektin social ky propozim për mbulimin e pagës 100 për qind për punëtorët që preken nga koronavirusi, ata që janë në izolim dhe vetë- izolim, është por marrë parasysh se ne c` far gjendje ndodhet ekonomia e vendit mendoj se propozim i këtillë paraqet një çmenduri ordinere kur pjesa më e madhe e kompanive janë pranë falimentimit për shkak të vështirësive” thotë Çekrexhi.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë për Punësim, nga fillimi i pandemisë në muajin mars deri në fund të nëntorit, janë regjistruar 15 mijë e 858 persona që e kanë humbur vendin e punës. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë të angazhuar në industrinë e përpunimit, tregtinë me pakicë, si dhe në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë.

XS
SM
MD
LG