Ndërlidhjet

Ted Lipien emërohet president i Radios Evropa e Lirë


Ndërtesa e Radios Evropa e Lirë në Pragë.
Ndërtesa e Radios Evropa e Lirë në Pragë.

Shefi ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), Michael Pack, e ka emëruar Ted Lipien si president të Radios Evropa e Lirë.

"Pak njerëz sikurse Ted e kuptojnë operacionin dhe misionin shumëplanësh të transmetimit ndërkombëtar të SHBA-së", ka thënë Pack, sipas një njoftimi të USAGM.

"Ted është një mbrojtës i flaktë i demokracisë që do të shkëlqejë në bërjen jehonë të parimeve dhe idealeve të Amerikës me botën", ka shtuar Pack.

Ndërsa presidenti i zgjedhur i Radios Evropa e Lirë, Ted Lipien, ka kujtuar kohën kur si adoleshent, derisa ka jetuar në Poloninë komuniste, e ka dëgjuar Radion Evropa e Lirë "për të zbuluar se çfarë nuk po më thoshte qeveria".

“Ajo kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën time, dhe në jetën e miliona të tjerëve. Jam i nderuar dhe i përulur që më është besuar të ndihmoj këtë organizatë historike të vazhdojë të thyejë censurën dhe t'u japë zë të heshturve", ka thënë Lipien.

Ted Lipien i ka kushtuar tërë karrierën e tij transmetimit ndërkombëtar të SHBA-së. Ai u bashkua me Zërin e Amerikës (VOA) më 1973 dhe shërbeu si shef i Shërbimit Polak për 12 vjet, nga 1981 në 1993. Nga viti 1993 deri në vitin 2003, ai shërbeu edhe në Bordin e e Guvernatorëve për Transmetim, së pari në Mynih dhe, më vonë në Pragë. Lipien më pas iu ribashkua Zërit të Amerikës, duke shërbyer si Drejtor i Divizionit të Euroazisë nga viti 2003 deri më 2005 dhe Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Asociuar nga 2005 në 2006. Ai ka intervistuar një numër figurash të shquara publike, përfshirë Kardinalin Karol Wojtyła (Papa Gjon Pali II), Lech Wałęsa, George HW Bush, Zbigniew Brzezinski dhe Czesław Miłosz.

Në vitin 2008, pas largimit nga shërbimi federal, Lipien themeloi Free Media Online, një organizatë jo-qeveritare e angazhuar për të mbështetur mediat e lira në të gjithë botën.

Radio Evropa e Lirë me seli në Pragë, është një rrjet transmetimi i financuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara përmes USAGM. Daisy Sindelar, e cila kishte shërbyer si ushtruese e detyrës së Presidentit të Radios Evropa e Lirë, që nga qershori i vitit 2020, do të kthehet në rolin e saj të mëparshëm si nënpresidente dhe kryeredaktore.

XS
SM
MD
LG