Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se i takon Kongresit amerikan që të vendosë nëse Donald Trumpi duhet të largohet nga Zyra Ovale përmes inicimit të gjykimit.
Ndërkaq, mediat amerikane raportuan se ligjvënësit demokratë më 8 janar, kanë draftuar artikujt e gjykimit ndaj Trumpit për "nxitje të kryengritjes".
“Ky është një vendim që i takon Kongresit që ta marrë dhe unë jam i fokusuar në punën time”, tha Biden gjatë një konference për gazetarë nga shteti i tij, Delauer.
Sipas Bidenit, Trump nuk është i “aftë për të udhëhequr” me SHBA-në, por shtoi se ai është i fokusuar që më 20 janar të ndodhë inaugurimi i tij si president, ku tha se pasi të marrë mandatin, prioritet kryesor do të ketë luftimin e pandemisë.
Këto komente të Bidenit, erdhën në kohën kur zyrtarët e lartë demokratë diskutuan për mënyrat e largimit të Trumpit nga zyra, pasi qindra mbështetës të tij, sulmuan ndërtesën e Kongresit më 6 janar, ngjarje në të cilën u vranë pesë persona.
NBC News raportoi se ligjvënësit demokratë, që u takuan të premten, draftuan artikujt për procesin gjyqësor ndaj Trumpit, që njihet me termin "impeachment", duke e akuzuar atë për "krime të rënda dhe nxitje të kryngritjes".
Ndërkaq, një televizion privat amerikan raportoi se ka në posedim një kopje të këtij drafti, ku thuhet se "Trump me dashje bëri deklarata që nxitën veprime të paligjshme në Kongres".
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi që mori pjesë në këtë takim me bashkëpartiakët e saj, u raportua se i ka njoftuar ata lidhur me një bisedë me një zyrtar të lartë ushtarak, për masat që mund të ndërmerren, që do të parandalonin që Trump në dy javët e fundit të mandatit të tij, të mos ndërmarrë ndonjë sulm, përfshirë edhe sulm të mundshëm bërthamor.
Pelosi ka thënë se tashmë ka më shumë mbështetje për nisjen e një procesi gjyqësor ndaj Trumpit, sesa që kishte herën e parë kur u inicua një gjë e tillë, vitin e kaluar.
Më herët, demokratja Katherine Clark gjatë një interviste për CNN tha se takimi i demoratëve ka për qëllim gjetjen e mënyrave për largimin e Trumpit nga zyra.
“Donald Trump duhet të largohet nga zyra dhe ne do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në mënyrë që kjo të ndodhë, për të mbrojtur demokracinë tonë”, tha Clark.
Nëse nënpresidenti Mike Pence nuk e aktivizon amendamentin 25 të Kushtetutës, për t’ia marrë kompetencat e presidentit, “ne do të vazhdojmë me gjykimin”, tha ajo.
Pas thirrjeve për largim nga zyra, Trump dënoi dhunën që la të vdekur pesë persona, pasi protestuesit e dhunshëm, mbështetës të Trumpit, sulmuan Kongresin.
Në një video të publikuar, Trump bëri thirrje për pajtim dhe premtoi për tranzicion paqësor të pushtetit te presidenti i zgjedhur, Joe Biden.
Shumë demokratë, por edhe republikanë e kanë akuzuar Trumpin se ka nxitur dhunën në Kongres.
Senatori republikan, Ben Sassen tha se ai do të mbështeste procesin gjyqësor për largimin e Trumpit nga pushteti.
“Presidenti nuk e ka respektuar betimin që ka bërë”, tha Sasse për CNS, duke shtuar se veprimet e Trumpit, duke nxitur protestuesit “ishin të ligja”.
Teksa mandati i Trumpit është drejt fundit, nuk është e qartë nëse do të ketë kohë që të përfundonte një proces ndaj tij për largimin nga zyra.