Ndërlidhjet

Trump: Është koha për paqe dhe qetësi


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 12 janar bëri thirrje për "paqe" dhe "qetësi" në Shtetet e Bashkuara, pasi mohoi përgjegjësinë për sulmin ndaj Kongresit nga ana e mbështetësve të tij, javën e kaluar.

"Tani është koha që kombi ynë të shërohet dhe është koha për paqe dhe për qetësi", tha Trump gjatë një vizite në Alamo të Teksasit.

Trump i bëri komentet më 12 janar pak para se Dhoma e Përfaqësuesve të votojë për një rezolutë të sponsorizuar nga demokratët, e cila i bën thirrje nënpresidentit, Mike Pence të zbatojë amendamentin e 25-të dhe të heqë Trumpin nga detyra për rolin e tij në dhunën që ndodhi më 6 janar.

"Amandamenti i 25-të është me rrezik zero për mua", tha Trump, ndërsa fliste para një pjese të murit kufitar të Meksikës në Teksas - një simbol i politikës së ashpër të imigracionit që ai ka ndjekur gjatë mandatit të tij.

Para nisjes në Teksas, presidenti amerikan i quajti përgatitjet e Kongresit për të filluar procesin e shkarkimit ndaj tij, si "absolutisht qesharake" dhe tha se ato po shkaktonin "një zemërim të jashtëzakonshëm".

Trump e quajti përpjekjen për shkarkim të Dhomës së Përfaqësuesve një "vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës".

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara prezantoi të hënën një rezolutë për gjykimin e presidentit Donald Trump, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.

Demokratët që udhëheqin këtë dhomë të Kongresit amerikan, e fajësojnë Trumpin për nxitje të trazirave, javën e kaluar, në Kongres.

Pesë vetë kanë mbetur të vdekur, pasi mbështetësit e Trumpit kanë sulmuar dhunshëm ndërtesën e Kongresit dhe janë përplasur me policinë.

Të martën duke komentuar këto zhvillime, Trump tha se "ne nuk duam asnjë dhunë".

Procedura për shkarkimin e presidentit që në anglisht njihet si “impeachment” do të thotë të ngresh akuza në Kongres, që do të përbëjnë bazën për gjykim.

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.

Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.

Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2019, Trump është përballur edhe me një proces të impeachment-it.

Senati, megjithatë, ka votuar kundër shkarkimit të presidentit.

XS
SM
MD
LG