Ndërlidhjet

Çfarë pas padisë kundër Trumpit nga Dhoma e Përfaqësuesve?


Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke prezantuar artikullin e miratuar për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.
Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, duke prezantuar artikullin e miratuar për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump, pak ditë para se ai të largohet nga zyra, duke e bërë atë presidentin e parë amerikan, ndaj të cilit janë kryer dy tentime për shkarkim.

Tri paditë paraprake – ato kundër presidentëve, Andrew Johnson, Bill Clinton dhe Trump - janë diskutuar për muaj para votimit final. Kësaj here është dashur vetëm një javë për ta bërë një gjë të tillë, pasi Trump ka inkurajuar një turmë mbështetësish që kanë sulmuar më pas ndërtesën e Kongresit.

Demokratët dhe 10 republikanë kanë votuar për ta paditur Trumpin me një akuzë: nxitje të kryengritjes.

Lideri i shumicës në Senat, republikani Mitch McConnell, ka thënë se Senati nuk do të nisë gjyqin deri të martën e javës së ardhshme, apo një ditë para se të kryejë betimin presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden.

Ende nuk është bërë e qartë se si do të zhvillohet gjyqi në Senat dhe nëse republikanët që janë pjesë e tij do të votojnë për ta dënuar Trumpin.

Ndonëse gjyqi nuk do të ndodhë derisa Trump të largohet nga zyra, ky proces mund t’ia pamundësojë atij që të garojë për president në të ardhmen.

Hapat e ardhshëm janë këta:

Nisja e procesit në Senat

Pasi Dhoma e Përfaqësuesve të bëjë padinë, udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, mund të dërgojë artikullin në Senat menjëherë – apo mund të presë një kohë.

Pelosi ende nuk ka vendosur kur do ta bëjë një gjë të tillë, mirëpo shumë demokratë i kanë bërë thirrje që të veprojë sa më shpejt që është e mundur.

Ndërtesa e Kongresit amerikan.
Ndërtesa e Kongresit amerikan.

Pelosi tashmë ka emëruar nëntë menaxherë për proces të shkarkimit, të cilët do të argumentojnë rastin kundër Trumpit në gjyqin e Senatit, shenjë se ajo do ta çojë përpara këtë proces shumë shpejt.

Kur artikujt të dërgohen – gjë që bëhet me një ecje zyrtare nga Dhoma e Përfaqësuesve në Senat – atëherë lideri i shumicës në Senat duhet të nisë procedurën për mbajtje të gjyqit.

Planifikimi në Senat

Senati është në pushim deri më 19 janar, ditë e cila mund të jetë e fundit për McConnellin në pozitën e liderit të Senatit. Kur nënpresidentja e zgjedhur, Kamala Harris, të kryejë betimin, duke u kthyer në president të Senatit, ashtu sikur edhe dy senatorë demokratë nga shteti i Xhorxhias, lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer do të vendosë se si do të zhvillohet procesi i gjyqit.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell.
Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

McConnell ka thënë se nuk do të bëjë kërkesë urgjente për të nisur gjyqin, andaj data më e hershme që mund të fillojë ky proces është ajo e së martës.

Kjo nënkupton se gjyqi do të zhvillohet pasi Trump të largohet nga zyra.

McConnell ka përmendur se tri gjyqet ndaj presidentëve në historinë amerikane kanë zgjatur “83 ditë, 37 ditë dhe 21 ditë respektivisht”.

Të gjithë sytë te McConell

McConnell beson se Trump ka kryer shkelje dhe e konsideron padinë e demokratëve si mundësi për të zvogëluar ndasitë që ekzistojnë si pasojë e presidentit kaotik, ka thënë një republikan për agjencinë e lajmeve, The Associated Press.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, McConnell ka qenë shumë i qetë në publik. Ai u ka thënë të mërkurën kolegëve që “nuk ka ndonjë vendim përfundimtar se si do të votojë”.

Garda Kombëtare ruan Kongresin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:32 0:00

Politika e Senatit

Nëse McConnell voton për dënim, republikanët tjerë do ta imitojnë. Por, deri më tani, asnjë senator nuk ka treguar si do të votojë.

Për shkarkim të Trumpit nevojiten dy të tretat e votave.

Disa republikanë i kanë kërkuar Trumpit të japë dorëheqje, duke përfshirë senatorin nga Pensilvania, Pat Toomey dhe senatoren nga Alaska, Lisa Murkowski.

Senatori republikan nga Nebraska, Ben Sasse, ka thënë se do të analizojë se çfarë po miraton Dhoma e Përfaqësuesve, mirëpo nuk ka thënë nëse do ta mbështesë atë veprim.

Republikanë tjerë kanë thënë se procedura e shkarkimit mund të jetë përçarëse. Senatori nga Karolina Jugore, Lindsey Graham, aleat i presidentit, ka qenë kritik për qasjen e tij në nxitjen e turmave, mirëpo ka thënë se procedura e shkarkimit “do të bëjë më shumë keq sesa mirë”.

Senatori nga Utah, Mitt Romney, ka qenë i vetmi republikan që ka votuar për ta dënuar Trumpin në gjyqin paraprak, pasi Dhoma e Përfaqësuesve ka paditur atë për marrëveshjet me presidentin e Ukrainës.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, 10 republikanë u janë bashkuar demokratëve me qëllim të shkarkimit të Trumpit.

Në gjyqin e 2019-s, secili republikan që ka qenë pjesë e këtij institucioni pati votuar kundër shkarkimit.

E ardhmja e Trumpit

Nëse Senati e dënon Trumpin, atëherë ligjvënësit do të mbanin një votim të veçantë për të vendosur nëse duan ta diskualifikojnë Trumpin nga mbajtja e pozitës zyrtare në të ardhmen.

Schumer ka thënë të mërkurën: Ta keni të qartë, do të ketë gjyq për shkarkim në Senatin e Shteteve të Bashkuara; do të ketë votë për dënim të presidentit për krime të larta dhe kundërvajtje; dhe nëse presidenti dënohet, atij do t’i ndalohet që të kandidojë sërish për president”.

Në rastet kur disa gjyqtarë federalë janë paditur dhe larguar nga zyra, Senati ka mbajtur një votim të dytë pas dënimit, për të vërtetuar nëse ia ndalojnë atij personi që të jetë pjesë e ndonjë institucioni federal.

Vetëm një shumicë e senatorëve është e nevojshme për t’ia ndaluar atij garën për president në të ardhmen, për dallim nga dy të tretat që janë të nevojshme për ta shpallur fajtor.

Akuza të ndryshme, procese të ndryshme shkarkimi

Ky proces i shkarkimit pritet të jetë ndryshe ai i kaluari për disa arsye.

Akuzat e Dhomës së Përfaqësuesve më 2019 rreth marrëveshjeve të Trumpit me presidentin e Ukrainës, të cilit i pati kërkuar të hetojë Bidenin, ka ardhur pas një hetimi të gjatë dhe dëshmive të një numri zyrtarësh qeveritarë.

Ndonëse demokratët kanë kritikuar në mënyrë unanime Trumpin për abuzim me pushtetin, akuzat në fund kanë ndërtuar një provë të komplikuar.

Kësaj here, demokratët kanë parë se ka pak nevojë për hetime – pushtimi i Kongresit është parë drejtpërdrejt në television dhe shumica e pjesëtarëve në Kongres kanë qenë brenda ndërtesës kur ka ndodhur gjithçka.

Protestuesit futen brenda Kongresit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:57 0:00

Fjalimi paraparak i Trumpit, në të cilin ai u kërkonte mbështetësve “që të luftojnë me çdo çmim” kundër rezultateve zgjedhore, është transmetuar po ashtu në televizion, teksa Kongresi është bërë gati për t'i numëruar votat e Kolegjit Elektoral.

Udhëheqësi i Komitetit për Inteligjencë në Dhomën e Përfaqësuesve, Adam Schiff, ka thënë se kryengritja në Kongres “është shkelje e dënueshme që është kryer në dritë të diellit, dhe për të cilën gjithë kombi është dëshmitar”.

Ai ka thënë se nevojitet një proces i shpejtë shkarkimi “marrë parasysh natyrën e krimit”.

Artikulli

Në artikullin katërfaqësh për shkarkim është thënë se Trump “ka rrezikuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të saj qeveritare”.

Në artikull është thënë se sjellja e Trumpit është vazhdimësi e përpjekjeve të tij për të “penguar” rezultatin e zgjedhjeve dhe lidhet me thirrjet e fundit telefonike me sekretarin e shtetit të Xhorxhias, në të cilat Trump ka kërkuar që zyrtari në fjalë t’i gjejë më shumë vota, pas fitores së konfirmuar të Bidenit.

Trump ka pretenduar rrejshëm se ka pasur mashtrime zgjedhore, derisa këto supozime të pabazuara janë përkrahur edhe nga disa republikanë dhe mbështetës të tij, që kanë sulmuar Kongresin.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG