Ndërlidhjet

Republikanët kërkojnë shtyrjen e gjykimit të Trumpit deri në shkurt


Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Republikanët në Senatin e Shteteve të Bashkuara u kërkuan demokratëve të shtyjnë fillimin e gjyqit të ish-presidentit Donald Trump deri në shkurt.

Ata thanë se kjo do t’i jepte kohë Trumpit për ta përgatitur mbrojtjen.

Trump akuzohet për nxitje të kryengritjes, pasi mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

Pesë persona, përfshirë një zyrtar të policisë, mbetën të vrarë në dhunë.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për fajësimin e Trumpit. Ajo tani duhet t’i çojë akuzat te Senati, i cili e ka fjalën përfundimtare.

Edhe pse demokratët tani kontrollojnë Senatin, atyre do t’iu duhet mbështetja e së paku 17 republikanëve për ta dënuar Trumpin, përkatësisht dy të tretat e votave të senatorëve.

Trump ka shkuar në Florida, pasi mandati i tij ka përfunduar të mërkurën.

Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, tha se "republikanët e Senatit janë të bashkuar fuqimisht pas parimit se institucioni i Senatit, Zyra e Presidencës dhe vetë ish-presidenti Trump meritojnë një proces të plotë dhe të drejtë, që i respekton të drejtat e tij dhe çështjet serioze faktike, ligjore dhe kushtetuese”.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar për shkarkimin e Trumpit më 13 janar, por gjykimi në Senat nuk ka mundur të zhvillohet përpara përfundimit të mandatit të tij më 20 janar.

Gjykimi mund të zhvillohet tani, edhe pse Trumpit i ka përfunduar mandati, dhe senatorët mund të votojnë për ta ndaluar atë që të mbajë sërish poste publike.

Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, duhet të pajtohet me idenë e shtyrjes së gjykimit deri në shkurt.

XS
SM
MD
LG