Ndërlidhjet

Biden dhe Putin zhvillojnë bisedë telefonike


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki tha se gjatë bisedës, Biden ka ngritur shqetësime lidhur me aktivitetet ruse, përfshirë trajtimin dhe burgosjen e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

“Biden gjithashtu tha se Uashingtoni mbështet fuqishëm sovranitetin e Ukrainës, përballë agresionit të vazhdueshëm rus”, tha Psaki.

Kremlini konfirmoi telefonatën përmes një deklarate në faqen e internetit duke thënë se Putini e uroi Bidenin për marrjen e detyrës dhe se të dy liderët "shprehën kënaqësi" në lidhje me shkëmbimin e notave diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mbi zgjatjen e Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START).

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny është burgosur fundjavën e kaluar pasi ka arritur në Moskë nga Gjermania. Në shtetin gjerman, Navalny është trajtuar pas helmimit me agjentin nervor, Noviçok. Ai e ka fajësuar presidentin rus, Putin për helmimin.

Rusia aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014, dhe separatistët e mbështetur nga Moska filluan një kryengritje në Donbas, në Ukrainën lindore.

Konflikti ka lënë të vrarë më shumë se 13.000 njerëz. Rusia mohon çdo rol në konflikt.

XS
SM
MD
LG