Ndërlidhjet

Borisov takon Osmanin, kërkon negociata pa emocione me Shkupin


Takimi ndërmjet kryediplomatit maqedonas, Bujar Osmani dhe kryeministrit bullgar, Bojko Borisov. Sofje, 16 mars, 2021.
Takimi ndërmjet kryediplomatit maqedonas, Bujar Osmani dhe kryeministrit bullgar, Bojko Borisov. Sofje, 16 mars, 2021.

“Të gjitha kontradiktat midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të zgjidhen. Brezat e ardhshëm nuk do të na falin që kemi humbur këtë mundësi të madhe”. Kështu i ka thënë kryeministri bullgar, Bojko Borisov, ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë një takimi që zhvilluan të martën në aeroportin e Sofjes.

Agjencia bullgare e lajmeve BGNES, ka njoftuar se kreu i Qeverisë bullgare ka qenë kategorik se “rruga e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për në Bashkimin Evropian nuk mund të vonohet, kështu që dallimet mes Sofjes dhe Shkupit duhet të zgjidhen”.

"Pra, edhe ju edhe ne duhet të përgatitemi për negociata – për m0irëkuptim, jo për emocione, në mënyrë që fqinjët tanë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo çështje është e një rëndësie gjeostrategjike për Bullgarinë si ne, ashtu edhe ju duhet të gjejmë vullnet politik”, i ka thënë Borisov shefit të diplomacisë maqedonas.

"Heronjtë që vdiqën për liri nuk mund të jenë një temë për të na ndarë sepse ëndrra e tyre më e madhe ishte që të ishin së bashku dhe për këtë ata dhanë jetën e tyre. Pra, ata duhet të jenë një urë miqësie, jo një ndarje", citohet të ketë thënë Borisov.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u takua me kryeministrin bullgar në aeroportin e Sofjes, derisa zyrtarët po udhëtonin jashtë vendit, Osmani për në Bern të Zvicrës ndërsa Borisov për në Vjenë të Austrisë.

Bullgaria në nëntor të vitit të kaluar ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë me BE-në duke e kushtëzuar me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për gjuhën, kombësinë dhe personalistetet historike.

Maqedonia e Veriut ka shprehur gatishmërinë për bisedime, por jo për çështjet që ka ngritur Bullgaria.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, më 13 mars në Tiranë tha se Maqedonia e Veriut duhet të angazhohet për kapërcimin e dallimeve me Sofjen, si nevojë për vazhdimin e procesit të integrimit evropian.

XS
SM
MD
LG