Ndërlidhjet

Disa vende evropiane rivendosin masat e izolimit


Një grua e veshur me një maskë fytyre në Paris. Fotografi nga arkivi.
Një grua e veshur me një maskë fytyre në Paris. Fotografi nga arkivi.

Franca dhe Polonia kanë rivendosur masat e izolimit të pjesshëm, ndërsa Gjermania ka paralajmëruar se do të veprojë njëjtë, pas një rritjeje të numrit të të infektuarve me koronavirus.

Masat e reja franceze kanë prekur rreth 21 milionë njerëz në 16 rajone, përfshirë kryeqytetin Paris. Autoritetet kanë frikë nga një valë e tretë e të infektuarve me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Izolimi i pjesshëm hyri në fuqi në mesnatën e së premtes (19 mars).

Masat e reja parashohin kufizime në trafik, mbylljen e bizneseve jo thelbësore, por shkollat mbeten të hapura, së bashku me parukierët nëse ndjekin një "protokoll të veçantë të higjienës". Franca ka raportuar më shumë se 4.2 milionë të infektuar që nga fillimi i pandemisë dhe gati 92.000 vdekje të lidhura me sëmundjen COVID-19, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.

Në Poloni, dyqanet jo-thelbësore, hotelet, objektet kulturore dhe sportive do të mbyllen për tre javë. Ky vend ka shkallën më të lartë të të infektuarve në baza ditore që nga nëntori. Polonia ka shënuar më shumë se dy milionë të infektuar dhe gati 49.000 vdekje, sipas Johns Hopkins.

Rastet me koronavirus po shënojnë rritje edhe në Gjermani. Kancelarja, Angela Merkel, ka paralajmëruar se ka të ngjarë që vendi do të duhet tani të zbatojë masat e një "frenimi emergjent".

Gjermania tha të premten se e ka klasifikuar Poloninë fqinje si vend me rrezik të lartë. Kjo do të thotë se që nga e diela kushdo që kalon kufirin nga Polonia duhet të ketë një test negativ të koronavirusit.

Çfarë po ndodhë me fushatën e imunizimit?

Imunizimi kundër COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian ka ngecur për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave por edhe për arsye se disa vende evropiane e pezulluan përdorimin e vaksinës se Oxford-AstraZeneca kundër COVID-19, për shkak të frikës nga efektet anësore të mundshme.

A do të jetë “pasaporta e vaksinave” hap drejt normalitetit?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:15 0:00

Pavarësisht se rregullatori evropian i barnave tha se vaksina AstraZeneca është e sigurt dhe efektive, disa vende hezitojnë të vazhdojnë fushatat e tyre të imunizimit.

Autoriteti shëndetësor i Finlandës ka njoftuar një pezullim në përdorimin e vaksinës që do të zgjasë të paktën një javë.

Zyrtarët kanë thënë se kjo është një masë paraprake pasi u raportua për mpiksje të gjakut te dy pacientë që ishin injektuar me këtë vaksinë, raporton BBC.

Ndërkohë, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia thanë të premten se u duhej më shumë kohë për të vendosur nëse do të rinisnin vaksinimet me vaksinën e AstraZeneca-s.

Gjermania, Italia, Franca, Spanja dhe Holanda janë ndër vendet që kanë rifilluar fushatat e tyre të vaksinimit me AstraZeneca. Autoritetet shëndetësore në Francë kanë rekomanduar që vaksina t'u ofrohet vetëm njerëzve të moshës 55 vjeç e lart.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) rishikoi sigurinë e kësaj vaksine pasi 13 vende evropiane pezulluan përdorimin e saj për shkak të frikës nga një lidhje me mpiksjen e gjakut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) u ka kërkuar vendeve të vazhdojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca.

Të premten, ekspertët në OBSH thanë se vaksina kishte "potencial të jashtëzakonshëm për të parandaluar infektimin dhe për të zvogëluar vdekjet në të gjithë botën".

Udhëheqës të tjerë evropianë janë përpjekur të sigurojnë qytetarët se imunizimi me vaksinën e Oxford-AstraZeneca është i sigurt.

Kryeministri Italian, Mario Draghi, 73 vjeç, tha se ai do të bënte me gëzim vaksinën, por "ende nuk e kishte bërë një rezervim".

Homologu i tij francez, 55-vjeçari Jean Castex, të premten, mori një dozë të vaksinës së AstraZeneca-s.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG