Ndërlidhjet

Petkoviq: Qëndrimet e Kurtit po e shkatërrojnë të ardhmen e dialogut


Petar Petkoviq, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Qeveria e Serbisë ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për procesin e dialogut mes dy vendeve, duke thënë se përmes tyre, Kurti, "në mënyrën më të vrazhdë e ka shpallur të fundin e dialogut dhe ka shkatërruar gjitha arritjet e deritashme nga dialogu i zhvilluar në Bruksel".

“Kërcënimet e Kurtit se, kushti për vazhdimin e dialogut është që Beogradi të njohë Kosovën, të njohë krimet e pretenduara në Kosovë, në mënyrë të drejtëpërdrejtë po shkatërrojnë të ardhmen e dialogut dhe kompromisit, dhe në veçanti përmes pozicionit të tij se, nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, që është detyrimi kryesor i Prishtinën, bazuar në Marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në një komunikatë të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Më 22 mars, gjatë një debati për të ardhmën e dialogut, organizuar nga “Forum 2015”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se procesit të dialogut duhet bërë një rishikim dhe se ai mund të vazhdojë vetëm nëse respektohen katër parime.

“Duhet pranuar realiteti, duhet pranuar e vërteta, duhet të ulemi si të barabartë dhe i katërti duhet të përfitojnë qytetarët”, ka thënë Kurti.

Sipas autoriteteve serbe, në këtë mënyrë, Kurti tregoi se nuk është i interesuar për dialog që do të çojë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Në vend të kësaj, Kurti shkatërron drejtpërdrejt paqen dhe stabilitetin në rajon dhe e kthen Ballkanin Perëndimor në fuçi djegëse baruti”, thuhet në deklaratë, përmes së cilës kërkohet që ndaj deklaratave të Kurtit të reagojë edhe Bashkimi Evropian.

Kryeministri Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij.

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian në urimet e tyre për zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, më 22 mars, kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve.

Dialogu mes Kosovë dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga blloku evropian në Bruksel, ka nisur më 2011.

Më 8 mars të këtij viti është shënuar përvjetori i 10-të i nisjes së këtij procesi.

XS
SM
MD
LG