Ndërlidhjet

Maqedonia e V. regjistron 33 viktima dhe 1,422 të infektuar me koronavirus


Ilustrim.
Ilustrim.

Maqedonia e Veriut ka regjistruar të premten 33 të vdekur me koronavirus, çka paraqet numrin më të lartë të viktimave këtë vit, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Shkup.

Viktimat janë të moshës nga 38 deri në 85 vjeç, prej tyre: 12 në Shkup, nga tre në Tetovë dhe Kavadar, nga dy në Manastir, Prilep dhe Resnjë ndërsa nga një viktimë në Kumanovë, Gostivar, Ohër, Strumicë, Strugë, Kriza Pallankë, Vallandovë, Krushevë dhe Kratovë.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë po këtë ditë janë regjistruar edhe 1,422 persona të infektuar si dhe 457 të shëruar, që gjithashtu paraqesin numrin më të lartë të të infektuarve me koronavirus që nga fillimi i vitit.

Të dhënat i referohen testimit të 4,277 mostrave.

Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut, me COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, janë diagnostikuar 124,910 persona, janë shëruar 103,831 persona, kanë vdekur 3,607 ndërsa 17,472 persona janë ende aktivë.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ka bërë të ditur se të dielën në Maqedoninë e Veriut do të arrijnë 24 mijë doza vaksinash të kompanisë AstraZeneca përmes sistemit COVAX, si dhe tre mijë vaksina Sputnik V për rivaksinimin e atyre që tashmë kanë marrë dozën e parë.

Me vaksinat që pritet të mbërrijnë të dielën, do të vaksinohen personat që pritet të realizojnë procesin e regjistrimit të popullsisë, njoftoi kryeministri Zaev, pas deklaratës së një dite më parë të liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski se ai nuk do të hapë derën për regjistruesit e pavaksinuar.

“Përveç punëtorëve shëndetësorë, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, edhe regjistruesit duhet të vaksinohen, dhe natyrisht në grupet me prioritet janë oficerët e policisë dhe pjesëtarët e Armatës”, ka deklaruar mes tjerash Zaev.

XS
SM
MD
LG