Ndërlidhjet

Shoqëria civile: Të tërhiqet nisma për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet


Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.
Zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Organizatat që përfaqësojnë shoqërinë civile në Kosovë i kanë bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, që të tërhiqet nga nisma për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Përmes një letre publike, shtatë organizata joqeveritare: Demokraci Plus, Instituti Demokratik i Kosovës, Demokraci për Zhvillim, Lëvizja FOL, Iniciativa për Progres, Instituti i Kosovës për Drejtës dhe Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet (Çohu), kanë thënë se përkundër që vendi ka nevojë të ketë reformim të legjislacionit zgjedhor, kjo nuk e arsyeton urgjencën me të cilën po tentohet të ndryshohet Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Siç thuhet në letrën e OJQ-ve, për më tepër, ndryshimet e propozuara nga LVV-ja, “janë parciale dhe nuk i adresojnë të metat e këtij ligji”, dhe qasja e tillë u shërben vetëm interesave të ngushta partiake.

“Andaj, i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje si iniciues e kësaj nisme legjislative që të tërhiqet nga kërkesa për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Pasi edhe në rast të dështimit të kuvendit për të zgjedhur presidentin dhe si rrjedhojë shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, zbatimi i ndryshimeve të propozuara do të haste në vështirësi për shkak të afateve të shkurta për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për votim në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës jashtë vendit. Në këtë mënyrë do të komprometohej i gjithë procesi zgjedhor”, thuhet në letrën publike të OJQ-ve.

Ato kanë sugjeruar që në këtë moment, i gjithë fokusi i partive politike parlamentare duhet të jetë në shërbim të zgjedhjes së presidentit të ri.

XS
SM
MD
LG