Ndërlidhjet

Maqedonia e V. regjistron 46 të vdekur nga COVID-19


Një qendër vaksinimi kundër COVID-19 në Shkup.

Maqedonia e Veriut të enjten ka regjistruar 46 persona të vdekur nga COVID-19 si dhe 433 të infektuar, ka bërë ditur Ministria e Shëndetësisë bazuar në testimin e 2.453 mostrave.

Ndërkohë që numri i të shëruarve sipas raportit është 641 që vazhdon tani dhjetë ditë me radhë të jetë më i lartë se numri i të infektuarve.

Sa i takon viktimave, 15 janë nga Shkupi të moshës mes 54 dhe 82 vjec. Nga tre viktima janë regjistruar në qytetet e Manastirit, Velesit, Kocanit dhe Shtipit, ndërsa nga dy dhe një të vdekur në 13 qytete tjera.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë bërë mbi 700 mijë teste dhe mbi 151 mijë janë diagnostikuar me COVID-19, prej tyre mbi 132 mijë janë shëruar, rreth 15 mijë janë ende aktiv ndërsa 4.818 persona e kanë humbur jetën.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar edhe për vazhdimin e procesit të imunizimit të popullsisë.

Deri të enjten janë vaksinuar rreth 56 mijë qytetarë ndërsa mbi 207 mijë të tjerë janë paraqitur për tu vaksinuar. Të premten pritet të arrijnë 200 mijë vaksinat kineze, të cilat sipas Ministrisë së Shëndetësisë pritet ta rrisin dukshëm përqindjen e të imunizuarve.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka bërë të ditur së pas festës së pashkëve pritet të intensifikohet procesi i vaksinimit i cili përveç se në Shkup do të nis edhe në gjashtë tjera rajonale që do të përfshijnë të gjitha qytetet e vendit.

XS
SM
MD
LG