Ndërlidhjet

SHBA-ja e njofton Rusinë se nuk do t'i ribashkohet Traktatit të Qiejve të Hapur


Një aeroplan monitorues Tupolev Tu-214ON që operoi nën programin e avionëve monitorues të Qiejve të Hapur.
Një aeroplan monitorues Tupolev Tu-214ON që operoi nën programin e avionëve monitorues të Qiejve të Hapur.

Shtetet e Bashkuara e kanë njoftuar Rusinë se nuk do t’i bashkohen përsëri një pakti për kontrollin e armëve. Traktati i Qiejve të Hapur lejon fluturimet vëzhguese ajrore mbi zonat ushtarake të vendeve pjesëmarrëse.

Departamenti i shtetit tha se Traktati i Qiejve të Hapur "është minuar për shkak të shkeljeve nga ana e Rusisë".

Rusia mohon akuzat dhe pritet që Moska gjithashtu të tërhiqet këtë vit nga traktati. Ministria e Jashtme ruse konfirmoi se ishte informuar për vendimin nga ana e SHBA-së.

Më shumë se 30 vende marrin pjesë në traktatin i cili hyri në fuqi në vitin 2002.

Administrata e Biden kishte qenë duke rishikuar mundësitë për t’iu ribashkuar traktatit, por njoftimi tregon se marrëveshja tani ka përfunduar zyrtarisht.

Uashingtoni u tërhoq nga traktati në kohën e ish-presidentit, Donald Trump. Në përgjigje të njoftimit të administratës Trump vitin e kaluar, Rusia tha se ka në plan të largohet nga marrëveshja dhe muajin maj ligjvënësit votuan për të braktisur traktatin. Dhoma e sipërme e parlamentit të Rusisë pritet të miratojë projekt-ligjin e tërheqjes në qershor.

Midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet vetëm një traktat i madh në fuqi, ai për kontrollin e armëve midis dy fuqive. Traktati New Start (Fillimi i Ri) kufizon vendosjen e kokave strategjike bërthamore dhe sistemeve të shpërndarjes.

Njoftimi vjen gjithashtu në kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, po përgatiten për mbajtjen e një samiti në Gjenevë të Zvicrës, më 16 qershor.

“Sjellja e Rusisë, përfshirë veprimet e saj të fundit në lidhje me Ukrainën, tregojnë se ajo nuk është më një partner i përkushtuar në ndërtimin e besimit ", tha Departamenti i Shtetit.

Aleatët evropianë të SHBA-së mbështetën ruajtjen e traktatit, i cili lejon vendet të mbledhin informacion mbi forcat ushtarake në mënyrë që të rrisin transparencën dhe të ndërtojnë besimin e ndërsjellë.

Për të qëndruar në marrëveshje, Rusia kishte kërkuar garancë se anëtarët e NATO-s nuk do të dorëzonin në Shtetet e Bashkuara të dhënat e mbledhura gjatë fluturimeve të vëzhgimit mbi Rusinë.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG