Ndërlidhjet

Escobar: SHBA-ja qëndron pranë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran


Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takim me kryeministrin malazez Zdravko Krivokapiq, në Podgoricë, 11 nëntor 2021.
Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në takim me kryeministrin malazez Zdravko Krivokapiq, në Podgoricë, 11 nëntor 2021.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh i dërguari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Podgoricë dha mesazhin e mbështetjes së SHBA-së për Malin e Zi sovran dhe gjithpërfshirës.

Ai më 11 nëntor takoi kryeministrin, Zdravko Krivokapiq dhe kryeparlamentarin Aleksa Beçiq.

Escobar, gjatë bisedës me kryeministrin malazez Krivokapiq, i kërkoi atij të mbajë fokusin në reformat e nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE), tha Ambasada e SHBA-së përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Sipas tyre, Escobar tha se Shtetet e Bashkuara janë përkrah gjithë atyre që mbështesin një Mal të Zi sovran, gjithëpërfshirës dhe qytetar.

Kryeministri malazez ndërkaq në një konferencë për media tha se Qeveria “ka treguar rezultate të dukshme” dhe se nga zyrtari amerikan ka marrë “mbështetje të parezervë për vazhdimin e rrugës së saj”.

"Me Escobarin u fol edhe për korrupsionin. Rezultatet e arritura nga qeveria tregojnë se ne mund të jemi një vend pa korrupsion dhe të reduktojmë krimin në minimum", tha Krivokapiq.

Kryeministri bëri të ditur se ai dhe Escobar ranë dakord se lufta kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi rajonal janë të një rëndësie më të madhe për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.

Escobar gjatë bisedës me kryeparlamentarin malazez i ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit zyrtar për regjistrimin e popullsisë, i cili, siç vlerësoi ai, mund të rrisë tensionet nacionaliste.

Fronti Demokratik pro-Serb (DF), partia më e fuqishme brenda koalicionit qeverisës, insiston në mbajtjen e regjistrimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Fronti Demokratik pret që regjistrimi të tregojë se në Mal të Zi ka më shumë serbë sesa në regjistrimin e fundit të vitit 2011, kur 29 për qind e qytetarëve u deklaruan si serbë dhe 45 për qind si malazezë.

Vizita e Gabriel Escobarit në Podgoricë dhe mesazhet që ai u përcolli zyrtarëve malazezë janë një tregues se administrata e re amerikane e ka në fokus sërish Ballkanin Perëndimor dhe rrjedhimisht edhe Malin e Zi, tha për Radion Evropa e Lirë, Zllatko Vujoviq, analist politik nga Podgorica.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Podgoricë pason atë në Bosnje dhe Hercegovinë ku ai takoi anëtarët e Presidencës trepalëshe të këtij vendi.

Escobar ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 5 nëntor se njerëzit në Bosnje e dinë që komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar për t’u siguruar që “të zbatohen përkushtimet për paqe dhe siguri të njerëzve në rajon”.

Escobar nuk e ka përfshirë Kosovën dhe Serbinë në agjendën e tij të vizitës në Ballkanin Perëndimor. Jehona Lushaku-Sadriu, profesoreshë në departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës thekson se mosardhja në Kosovë dhe në Serbi e diplomatit Escobar, mund të shihet edhe si një mesazh për mospërparimin e të dy vendeve në dialogun e Brukselit.

“Normalisht që mund të jetë një mesazh i qartë për Serbinë dhe Kosovën. Mund të jetë për shkak të implikimeve sa i përket përparimit në dialog. Por, mund të ketë edhe arsye të tjera, të cilat janë në interes të SHBA-së dhe që këto dy shtete, faktikisht kanë mundur që të mos jenë pajtuar ose të mos kenë qëndrime në harmoni me qëndrimet amerikane”, thekson Lushaku-Sadriu.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG