Ndërlidhjet

Presidenti i KE-së: Kosova të fokusohet në dialogun me Serbinë


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, ka deklaruar se fokusi i institucioneve të Kosovës duhet të jetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën.

“Të dyja palët duhet të përparojnë në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara”, ka thënë Michel të mërkurën në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, i nisur më 2011, deri më tani kanë arritur 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Lidhur me këtë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është e përkushtuar në procesin e dialogut me Serbinë si palë konstruktive.

“Për Kosovën, dialogu nuk është vetëm kërkesë nga ndërkombëtarët por proces jetik”, ka shtuar Osmani.

Ajo ka shtuar se që të arrihen rezultate konkrete në procesin e dialogut, edhe Serbia duhet ta njohë realitetin. Siç ka thënë ajo, Kosova deri më tani nuk e ka bllokuar procesin e dialogut dhe një gjë të tillë nuk do ta bëjë as në të ardhmen.

Dialogu ka qenë temë diskutimi edhe në takimin që Micheal ka pasur me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas komunikatës për media të Qeverisë së Kosovës, presidenti i KE-së ka deklaruar se zgjidhja e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është posaçërisht e rëndësishme.

Ndërsa Kurti theksoi “qasjen konstruktive të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”.

Osmani dhe Michel, po ashtu, e kanë komentuar procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Michel ka thënë se “shtetet anëtare të BE-së duhet të vendosin për këtë çështje të rëndësishme për ju”.

Rruga deri te viza
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:21 0:00


Kosova që nga viti 2016 i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me BE-në.

Presidentja Osmani ka thënë se liberalizimi i vizave për popullin e Kosovës mbetet çështja kryesore, duke shtuar se duhet të ketë angazhim aktiv në mënyrë që shtetet të votojnë. Sipas saj, deri tani ka pasur “diskriminim dhe padrejtësi e thellë”.

Duke ritheksuar faktin që Kosova është e përkushtuar për stabilitet rajonal dhe vepron mbi baza të vlerave evropiane, Osmani ka thënë se ka ardhur koha që marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Kosovës të ngrihen në nivel më të lartë.

“Pavarësisht përkushtimit tonë, mospërmbushja e premtimeve në raport me rajonin tonë e teston besueshmërinë në BE-në, duke lënë hapësirë për ndikim të jashtëm”.

“Por, kemi nevojë urgjente që BE-ja ta bëjë të qartë perspektivën evropiane të rajonit dhe Kosovës”, ka shtuar Osmani.

Presidenti Michel, po ashtu theksoi se javën e ardhshme do të takohet me liderët e 27 vendeve të BE-së, duke e cilësuar si mundësi “që të shfaqet uniteti për vlerat tona të përbashkëta”.

“Është shumë e rëndësishme për ne të t’i kryejmë detyrat e shtëpisë dhe në këtë takim në fund të qershorit duhet t’i konfirmojmë detyrimet politike, të cilat i kemi karshi Ballkanit”, ka thënë ndër tjerash ai.

Sipas draft-konkluzave të përgatitura nga Charles Michel, të cilat i ka parë Radio
Evropa e Lirë, Këshilli Evropian do të përsërisë nevojën urgjente për arritjen e "progresit të prekshëm" në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor, me theks në dialogun Kosovë-Serbi, i cili duhet të synojë "normalizimin e
marrëdhënieve" mes dy vendeve.

Michel ka inkurajuar Kosovën që të marrë pjesë në forumet rajonale dhe të zbatojë agjenda për treg të përbashkët, që, sipas tij, do ta sjellin rajonin më afër së bashku.

Vizita e Michelit në Kosovë është në kuadër të vizitave të tij në disa shtete të rajonit.

XS
SM
MD
LG