Ndërlidhjet

Kubrakov: Dërgesat e para të grurit nga Ukraina mund të bëhen këtë javë


Një kamion shihet në një terminal të drithërave gjatë korrjes së elbit në rajonin e Odesës.
Një kamion shihet në një terminal të drithërave gjatë korrjes së elbit në rajonin e Odesës.

Ministri ukrainas i Infrastrukturës, Oleksandr Kubrakov tha se shpreson që dërgesat e para të drithit sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia të largohen nga porti Chornomorsk këtë javë.

Duke folur në një konferencë për media më 25 korrik, Kubrakov tha se nuk kishte asnjë kufi të përcaktuar në marrëveshje për sa i përket sasisë së grurit që mund të transportohej nga Ukraina.

"Ne presim që marrëveshja të fillojë të funksionojë në ditët në vijim... Ne po përgatitemi që gjithçka të fillojë këtë javë", tha Kubrakov, i cili drejtoi delegacionin e Ukrainës në bisedimet për arritjen e marrëveshjes në Stamboll javën e kaluar.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Yuriy Vasyukov shtoi në të njëjtën konferencë se pas Chornomorsk, dërgesat do të pasojnë nga Odesa dhe Pivdeny.

Afati kohor që të tre portet të funksionojnë është brenda dy javësh, shtoi ai.

Sipas marrëveshjes së grurit, eksportet e grurit ukrainas nga tre porte të Detit të Zi do të riktheheshin në nivelet e paraluftës prej rreth 5 milionë tonë në muaj.

Sulmet me raketa ruse në Odesa më 24 korrik kanë ngritur pikëpyetje rreth angazhimit të Rusisë ndaj marrëveshjes, por Kubrakov tha se përgatitjet teknike për nisjen e eksporteve të produkteve bujqësore nga portet vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG