Reuters
Një numër gjithnjë e në rritje i rusëve po ndiqen penalisht në bazë të ligjeve të reja që kanë për qëllim të mbysin kritikat ndaj veprimeve ushtarake të Moskës në Ukrainë.
Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak”. Më poshtë mund të mësoni se për çfarë ligjesh bëhet fjalë dhe si po zbatohen ato:
Çfarë ligjesh të reja ka miratuar Rusia pas 24 shkurtit?
Rusia ka futur shtesa në dy nene të rëndësishme të Kodit Penal, përmes një ligji të miratuar më 4 mars.
Neni 208.3 thotë se “veprimet publike që synojnë diskreditimin e përdorimit të forcave të armatosura të Federatës Ruse” dënohen me gjobë dhe burgim minimalisht deri në tre vjet për shkelje më të vogla dhe për shkelje më të rënda, që mund të shkaktojnë dëme në jetë, pronë, rend dhe siguri publike, dënimi është deri në pesë vjet burgim.
Neni 207.3 thotë se “shpërndarja e qëllimshme e informacionit të rremë në publik lidhur me përdorimin e forcave të armatosura të Federatës Ruse” dënohet me gjobë dhe burgim deri në tre, pesë, 10 ose 15 vjet burgim, në varësi të rrethanave dhe nëse vepra penale ka pasur “pasoja të rënda”.
Cili është dallimi midis këtyre dy veprave penale?
Sipas mediave ruse, Ministria e Drejtësisë ka publikuar një manual për hetuesit dhe gjykatësit, përmes të cilit shpjegohet se si bëhet dallimi midis diskreditimit të ushtrisë dhe veprës më të rëndë penale, asaj të përhapjes së informacioneve të rreme.
E përditshmja Kommersant citoi manualin të thoshte se bërja e “një deklarate për një fakt të rremë” në vend të shprehjes së një opinioni, konsiderohet përhapje e lajmeve të rreme.
Sa raste janë që po ndiqen penalisht për këto vepra penale?
Pavel Chikov, avokat për të drejtat e njeriut, tha se rreth 3.500 raste janë iniciuar për diskreditimin e ushtrisë. Sipas tij, pothuajse të gjithë personat e përfshirë në këto raste janë gjetur fajtorë.
Këto raste fillimisht ishin trajtuar si “shkelje administrative”, duke bërë që dënimet të ishin vetëm me gjobë, por kushdo që më pas flet sërish kundër luftës, rrezikon të përballet me ndjekje penale, tha Chikov.
Mbi 85 raste penale të lidhura me “informacione të rreme” janë hapur deri në fillim të gushtit, sipas të dhënave të Agora Legal Group, një shoqatë për të drejtat e njeriut.
Rasti i parë i këtij lloji, sipas aktivistëve të të drejtave të njeriut, u hap vetëm një javë e gjysmë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Por, që atëherë janë hapur edhe raste të tjera. Më poshtë mund të mësoni për disa prej rasteve më të shquara, sa i përket shkeljes së ligjeve ruse që kanë për synim të shtypin kritikat ndaj luftës në Ukrainë.
Yevgeny Roizman – ish-kryetari i Jekaterinburgut, qytetit të katërt më të madh në Rusi, vazhdimisht i ka përshkruar veprimet e Moskës në Ukrainë si luftë dhe pushtim. Ndaj tij është ngritur akuzë për diskreditim të forcave të armatosura. Një gjykatë ruse javën e kaluar ia ndaloi atij pjesëmarrjen në ngjarje publike, përdorimin e internetit apo mjeteve të komunikimit pa marrë leje paraprake. Atij i lejohet që deri më 29 shtator të komunikojë, pa marrë leje nga autoritetet, vetëm me avokatin dhe familjarët e tij.
Andrei Novashov – gazetari i Realiteteve të Siberisë, një projekti të Radios Evropa e Lirë, aktualisht gjendet në paraburgim. Ai kishte ripostuar një tekst në faqen e tij në rrjetet sociale lidhur me bombardimet ruse në qytetin ukrainas të Mariupolit. Novashov mund të përballet deri me 10 vjet burgim.
Marina Ovsyannikova – ish-gazetarja e televizionit shtetëror rus, që protestoi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë kundër luftës së Kremlinit, doli edhe në protesta në rrugë. Që atëherë, ajo është gjobitur dy herë dhe më herët gjatë këtij muaji, ndaj saj u ngrit akuzë për shpërndarje të informacioneve të rreme lidhur me forcat e armatosura ruse. Për këtë vepër penale, sipas avokatit të saj, Ovsyannikova mund të dënohet deri me 10 vjet burgim. Aktualisht, ajo gjendet në arrest shtëpiak.
Ilya Yashin – lider opozitar që sipas hetuesve akuzohet se ka gënjyer për ushtrinë përmes një videoje në YouTube. Ai, siç pretendojnë autoritetet, kishte gënjyer për veprimet e ushtrisë ruse në Buça, afër Kievit. Në këtë vend, Moska mohon se trupat e saj kanë kryer mizori. Yashin gjendet në paraburgim që nga qershori dhe mund të dënohet me 10 vjet burgim nëse gjendet fajtor për akuzën e përhapjes së informacioneve të rreme.
Vladimir Kara-Murza – aktivisti opozitar u ndalua më 11 prill. Ai u kishte thënë ligjvënësve amerikanë nga Arizona se presidenti rus, Vladimir Putin, po “lëshon bomba thërrmuese në zonat e banuara, në spitale e shkolla”. Ai gjendet në paraburgim dhe mund të përballet me 10 vjet burgim nëse gjendet fajtor për akuzën e përhapjes së informacioneve të rreme.
Alexei Gorinov – këshilltar i qarkut të Moskës në korrik u dënua me shtatë vjet burgim për përhapje të informacioneve të rreme, sipas nenit 207.3 të Kodit Penal rus. Ai kishte deklaruar gjatë një mbledhjeje të këshillit të këtij qarku, të mbajtur në mars, se “çdo ditë po vdesin” fëmijë në Ukrainë.