Ndërlidhjet

Kurti: Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të komprometohen


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të dielën se është në kontakt të vazhdueshëm me organet e sigurisë ndërkombëtare për të garantuar stabilitetin në Kosovë.

Ai i ka bërë këto deklarata, pas pyetjeve lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë.

“Situata e sigurisë në Republikën e Kosovës rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara, dhe në këtë një vit e tetë muaj, sa jemi në qeverisje, kemi bërë avancimin më të madh në luftimin e krimit dhe korrupsionit, sidomos në aspektin ekonomik”.

Ai ka thënë se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e Kosovës nuk mund të komprometohen.

“Ato shkojnë bashkë me paqen dhe sigurinë. Nuk do të ketë, dhe nuk mund të ketë asnjë individ dhe asnjë grup më të fuqishëm sesa shteti. Ne nuk i dallojmë kriminelët në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm në bazë të veprave të tyre penale”.

I pyetur për vendimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, Kurti ka përsëritur thirrjen e një dite më parë që serbët të mos veprojnë ashtu, sepse do të dobësojnë shërbimin për qytetarët.

Sipas tij, përmes vendimit të Listës Serbe, Beogradi zyrtar dëshiron të destabilizojë situatën në Kosovë, mirëpo Kurti ka thënë se Serbia “nuk do t’ia dalë në këtë mënyrë”.

“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj se të dëgjueshëm ndaj tyre janë pakrahasimisht më shumë strukturat e ndryshme ilegale, sesa qytetarët të vendit tonë, të cilët janë serbë”.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS - Republika e Kosovës.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.

Plani për targat

Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj - në tri faza - për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat.

Propozimi franko-gjerman

Kurti është pyetur edhe për qëndrimin e tij rreth propozimit të planit franko-gjerman për dialogun Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Megjithatë, ai ka thënë do të vazhdojë të ruajë konfidencialitetin e bisedimeve dhe se u përket ndërmjetësuesve të thonë fjalën e tyre.

“Unë jam i angazhuar në dialog dhe mund të them që ky dialog, me mua, është parimor, i barabartë dhe simetrik, ku diskutohet raporti i Kosovës me Serbinë e nuk bëhet Kosova temë e diskutimit duke mos qenë përnjëmend palë, siç ka ndodhur në 10 vjetët e kaluar, që nga viti 2011. Kosova është në një pozitë shumë më të favorshme, andaj keni një nervozë të theksuar në Beograd, sa u përket propozimeve që vijnë nga Bashkimi Evropian”.

Për planin franko-gjerman nuk ka shumë informacione.

Në tetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, "ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme".

XS
SM
MD
LG