Ndërlidhjet

Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.
Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.

Qetësohet situata në Mitrovicë të Veriut

  • Rreth orës 13:00 të së martës, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirena alarmi.
  • Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri.
  • Sipas tij, Policia e Kosovës në këtë aksion e ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile’”.
  • Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
  • Serbët lokalë kanë organizuar në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
  • Ata kanë protestuar rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
17:13 29.5.2023

Protestuesit në Zveçan shpërndahen nga zona pranë komunës

Gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it.

Kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.

Detonime të kohëpaskohshme dëgjohen po ashtu.

16:36 29.5.2023

Pas paralajmërimit, KFOR-i shpërndan protestuesit në Zveçan

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

"Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi - në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë", ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.

Gaz lotsjellës, flakë dhe shtëllunga tymi kanë përfshirë zonën, ndërkohë që dëgjohen edhe sirena dhe detonime.

16:11 29.5.2023

Kastrati: Pa KFOR-in vështirë të kontrollohet veriu  

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës do ta ketë të pamundur ta mbajë nën kontroll situatën në pjesën veriore të vendit, duke mbajtur policinë atje.

Sipas tij, Qeveria duhet të nisë menjëherë bashkëpunimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë, në mënyrë që të krijohet një strategji e qartë për shtensionimin e situatës dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.

Partnerët kryesorë për Qeverinë e Kosovës, sipas Kastratit, janë përfaqësuesit amerikanë dhe misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR.

“Duhet të ulen dhe ta studiojnë këtë situatë me KFOR-in, sepse i vetmi institucion që mund ta mbajë situatën të qëndrueshme në atë pjesë, është KFOR-i”, tha Kastrati.

Sa i takon shtimit të prezencës së KFOR-it në afërsi të objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, Kastrati tha se ky mision është në mbështetje të Policisë së Kosovës.

“KFOR-i nuk e thotë haptas, por është në mbështetje të Policisë së Kosovës për të ruajtur rendin dhe qetësinë, në mënyrë që ajo pjesë të mos bllokohet prapë, të mos vendosen barrikada dhe të mos ndodhë më e keqja, sepse atje ka serbë të armatosur, këtë e dimë të gjithë”, tha Kastrati.

Zveçan, 29 maj 2023.
Zveçan, 29 maj 2023.

Kastrati shtoi se destabilizimi i kësaj pjese të Kosovës është qëllim i Serbisë.

“Serbia është duke dashur që ta ndajë veriun e Kosovës. Këtë e ka synim. Pra, synimi i saj është që të mos i lejojë institucionet e Kosovës në atë pjesë të funksionojnë. Kjo po dihet”, tha ai.

Duke komentuar veprimet e Policisë së Kosovës për të asistuar futjen në objekte komunale të kryetarëve të rinj, gjenerali Kastrati tha se policia është treguar profesionale dhe se ka zbatuar detyrat e dhëna nga ekzekutivi.

15:39 29.5.2023

Lavrov: Situata në Kosovë mund të provokojë konflikt të ri në Evropë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se situata në Kosovë është alarmante dhe se mund të provokojë një tjetër konflikt në qendër të Evropës.

“Një shpërthim i madh po përgatitet në qendër të Evropës - pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja sulmoi Jugosllavinë, duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe të dokumenteve të OSBE-së”, tha Lavrov gjatë një vizite në Kenia, raporton agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti.

Ai shtoi se situata kërkon një “zgjidhje gjeopolitike” që do të garantonte sigurinë e vendeve evropiane.

Sipas tij, “asnjë bllok, përfshirë NATO-n, nuk ka të drejtë të pretendojë dominim në atë pjesë të planetit”.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, pasi grupe të serbëve lokalë janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Të premten e kaluar, Policia e Kosovës ka hyrë me forcë në këto komuna për t’i instaluar kryetarët e rinj.

Qeveria e Kosovës i ka mbrojtur veprimet e policisë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar ashpër ato, duke paralajmëruar se minimizojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG