KFOR-i siguron objektin e komunës në Zveçan
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zveçan raportojnë për një numër më të vogël protestuesish serbë, krahasuar me një ditë më parë.
Objektin e komunës dhe zonën përreth janë duke e siguruar ushtarë të KFOR-it.
Të pranishëm shihen edhe udhëheqësit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.
Një ditë më herët, në këtë komunë pati përleshje mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, të cilat rezultuan me dhjetëra të plagosur në të dyja anët.
Shikoni pamjet:
Qindra qytetarë të tubuar në Zubin Potok
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok raportojnë për qindra qytetarë të mbledhur para ndërtesës së komunës, ku edhe kanë vendosur ulëse.
Njësitë e Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në kordon, para hyrjes në objekt të komunës.
Pjesëtarë të KFOR-it, tash për tash, nuk shihen.
KFOR: Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësi për ngjarjet në veri
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”.
Ristuccia kërkoi nga palët, po ashtu, që të parandalojnë “çdo përshkallëzim të mëtejmë” të situatës.
Përmes një njoftimi për media, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se gjatë ndërhyrjes në Zveçan të hënën, 30 ushtarë të këtij misioni u lënduan: 19 nga kontingjenti hungarez dhe 11 nga ai italian.
“Ata pësuan lëndime të shumta, përfshirë thyerje dhe djegie nga pajisjet e improvizuara shpërthyese dhe mjetet ndezëse”, thuhet në njoftim.
Mbi 100 të tubuar në Leposaviq, Lista Serbe me kërkesa të njëjta
Korrespondentë e REL-it raportojnë për më shumë se 100 njerëz të tubuar para ndërtesës së Komunës së Leposaviqit.
Përfaqësues të Listës Serbe përsëritën kërkesat e një dite më parë, si kusht për shpërndarjen e protestuesve: tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe daljen e kryetarit të ri shqiptar nga ndërtesa e komunës.
Për sigurinë janë duke u kujdesur ushtarët e kontingjentit italian të KFOR-it.