Kina shpreh mbështetje për Serbinë
Kina shprehu mbështetjen e saj për përpjekjet e Serbisë “për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, pas përleshjeve mes protestuesve serbë në Zveçan dhe trupave paqeruajtëse të NATO-s.
Partia në pushtet, Partia Komuniste, është prej kohësh kritike e aleancës së NATO-s.
Mospajtimet me të burojnë pjesërisht nga bombardimi i Ambasadës kineze në Beograd, gjatë fushatës ajrore të aleancës më 1999, që i dha fund luftës në Kosovë.
"Ne kundërshtojmë veprimet e njëanshme të institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse të Kosovës", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, duke iu referuar Qeverisë së Kosovës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.
Stano: Të dyja palët përgjegjëse për dhunën
Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano, tha se dhuna në veri të Kosovës "ka ardhur nga të dyja palët", duke iu referuar Kosovës dhe Serbisë.
Nga përleshjet mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, mbetën 35 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe më shumë se 50 protestues.
"Eskalimin e shohim që nga e premtja, prandaj edhe [shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph] Borrell dhe vendet anëtare [të BE-së] e kanë dënuar dhunën dhe kanë ftuar për uljen e tensioneve. U kanë thënë të dyja palëve", tha Stano për gazetarët në Bruksel.
"Kjo situatë nuk ka ardhur vetvetiu, por është pasojë e rrethanave dhe zhvillimeve, për të cilat janë përgjegjëse të dyja palët", shtoi ai.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të thotë kjo situatë se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka dështuar, Stano tha: "Jo, dialogu vazhdon, përpjekjet madje janë shtuar dhe dialogu është më i rëndësishëm se kurrë".
Mjekë ushtarakë nga Hungaria udhëtojnë për në Kosovë
Një ekip i mjekëve ushtarakë udhëtoi nga Hungaria për në Kosovë, për t'u kujdesur dhe kthyer në shtëpi ushtarët hungarezë të KFOR-it, që u plagosën gjatë përleshjeve në Zveçan me protestuesit serbë, raporton Shërbimi i Hungarisë i Radios Evropa e Lirë.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha se të plagosurit nuk janë në rrezik për jetën.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, njoftoi se 30 ushtarë të tij - mes tyre 19 hungarezë dhe 11 italianë - u plagosën në përleshjet e një dite më parë.
Sipas KFOR-it, tre ushtarë hungarezë janë plagosur nga përdorimi “i armëve të zjarrit”, por “nuk kanë plagë vdekjeprurëse”.
Qeveria: Shkuarja e Kurtit në Bratisllavë ishte e planifikuar, por u shty
Nga Qeveria e Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se shkuarja e kryeministrit Albin Kurti në Bratisllavë, ku po mbahet një samit për sigurinë, ka qenë e planifikuar, por është shtyrë për shkak të zhvillimeve në veri të vendit.
“Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, thanë nga Qeveria e Kosovës.
Burime të BE-së e përmendën Bratisllavën si vend të mundshëm takimi mes Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Sipas burimeve, ende po punohet për këtë takim, që do të mund të realizohej nesër, por nuk ka akoma konfirmim nga asnjëra palë.