Hovenier: Qeveria nuk i koordinoi veprimet e së premtes me SHBA-në
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten.
Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, kanë hyrë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Komunat, Zubin Potok, Leposaviq, dhe Zveçan, janë të banuara me shumicë serbe, dhe banorët lokalë atje kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër ndërtesa, të cilat funksionojnë sipas sistemit serb.
“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës, dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.
Hovenier e ka cituar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kur ka thënë se vendimet e fundit të Qeverisë, janë duke ndikuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona”.
Ambasadori amerikan ka thënë se stërvitje në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, nuk do të ketë për Kosovën.
“Sot nuk ka pasur aktivitet për Defender Europe ’23, dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë përfunduar”.
Nga 29 maji deri më 2 qershor, Kosova ishte planifikuar të ishte nikoqire e stërvitjes më të madhe ndërkombëtare në rajonin e Ballkanit, "Defender Europe 2023" [Mbrojtësi i Evropës 2023].
Simbolet e pushtimit rus në automjetet e Policisë dhe të KFOR-it në veri
Një ditë pasi ekipet e mediave regjistruan dhe publikuan shkronjën “Z” në veturat e Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, gjatë tensioneve në veri të Kosovës, Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politikë të serbëve heshtin.
Mes tensioneve në veri të Kosovës, më 29 maj, ekipi i Radios Evropa e Lirë (REL) dhe disa media të tjera regjistruan dhe publikuan fotografi ku shihet një nga simbolet kryesore të pushtimit rus të Ukrainës, Z, e shkruar me ngjyrë në veturat e Policisë së Kosovës dhe ato të forcave të NATO-s.
Nuk është ende e qartë se kush është përgjegjës për shkrimin e tyre në kohën kur po ndodhin tensione, ndër më të mëdhatë, në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.
Ekipet e mediave regjistruan simbole të tilla gjatë protestës së banorëve serbë para Komunës së Zveçanit.
Lexojeni materialin e plotë:
Përfundon protesta në Zubin Potok
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok raportojnë se ka përfunduar protesta e serbëve lokalë në këtë komunë.
Fotoja më poshtë e ilustron si duket kjo komunë rreth orës 15:00 të së martës.
Petkoviq: Incidentet e 29 majit do të parandaloheshin nëse KFOR-i do ta përmbushte mandatin paraprakisht
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës – të banuara me shumicë serbe - duhet të largohen nga ndërtesat komunale, dhe se Policia e Kosovës duhet të largohet nga veriu i Kosovës.
Sipas një deklarate për media, Petkoviq i ka bërë këto deklarata të takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, Anke Konrad dhe Pierre Cochard.
Petkoviq, ka thënë, po ashtu, se incidentet e 29 majit do të mund të parandaloheshin nëse KFOR-i “do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale”, duke iu referuar njësiteve të Policisë së Kosovës.
“Serbët janë të vendosur për të mbrojtur të drejtën e tyre për të jetuar dhe mbijetuar në Kosovë, dhe Serbia e Beogradi do të vazhdojnë të jenë në mbrojtje të tyre, për të ruajtur paqen dhe stabilitetin e provincës dhe rajonit”, ka thënë mes tjerash Petkoviq.