Hovenier deklarohet për rritjen e gatishmërisë së ushtrisë së Serbisë
I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, ka thënë se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat janë marrëdhëniet e tensionuara – i mobilizojnë forcat e tyre.
“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”.
Hovenier: SHBA-ja i ka dy kërkesa për Kosovën
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.
“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.
“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”.
Sipas Hovenierit, marrja e këtyre dy veprimeve do të ndihmojë në ulje të tensioneve.
SHBA: Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu
“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”.
Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosova dhe Serbia janë dakorduar për këtë Marrëveshje, në shkurt të këtij vitit në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit në mars.
“SHBA-ja, pak entuziazëm për të reaguar ndaj interesave të Kosovës”
Në takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për disponimin aktual të SHBA-së ndaj Kosovës.
“Më duhet të them se në këtë koment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”.