Komandati i NATO-s në Napoli viziton KFOR-in
Admirali Stuart B. Munsch, komandanti i forcave të NATO-s në Napoli, është takuar të mërkurën me komandantin e KFOR-it në Kosovë, për të diskutuar planet dhe operacionet e së ardhmes, ashtu që të sigurohet një ambient i qetë në Kosovë.
Përmes një komunikate për media, NATO-ja ka bërë të ditur se dy komandantët kanë diskutuar për 700 trupat shtesë që do të angazhohen në kuadër të KFOR-it në Kosovë, si dhe vendosjen e një batalioni tjetër në gatishmëri të lartë.
Munsch është takuar të enjten edhe me ushtarë të KFOR-it nga Hungaria dhe Italia, të cilët janë plagosur si pasojë e dhunës që ka shpërthyer më 29 maj në Zveçan, në përplasje e sipër me protestuesit serbë.
Ai është takuar edhe me ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, me të cilët janë pajtuar për nevojën e dhënies fund të dhunës, dhe fokusimit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Protesta në Leposaviq, afër fundit
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Leposaviq raporton se protesta në këtë komunë është afër fundit.
Aty tani kanë mbetur vetëm pak persona dhe gazetarët.
Macron e Scholz do të diskutojnë me Osmanin e Vuçiqin në Kishinjev
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, do të bisedojnë më 1 qershor me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Macron i ka konfirmuar këto biseda në një fjalim të mbajtur në Konferencën GLOBSEC në Bratislavë.
Takimet do të zhvillohen ndaras, në margjina të samitit Komuniteti Politik Evropian, që do të mbahet në kryeqytetin moldav, Kishinjev.
Për përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, presidenti francez ia ka hedhur gjithë përgjegjësinë autoriteteve në Prishtinë.
Një muaj paraburgim ndaj dy të arrestuarve në Zveçan
Gjykata Themelore në Prishtinë u ka vendosur masë paraburgimi prej një muaji, dy personave me inicialet, R.P dhe D.O, të arrestuar të hënën në Zveçan.
Ata dyshohet se kane qenë pjesë e përleshjeve mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në atë komunë.
Sipas Prokurorisë, ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, “rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Avokati Dejan Vasiq ka paralajmëruar apelim të vendimit në Gjykatën e Apelit, ndonëse ka thënë se nuk ka shumë pritje.
“Sipas mendimit tim, nuk ka asnjë shpjegim për vlefshmërinë e dyshimeve. Kjo është hera e parë që kam parë dikë që e bazon dyshimin në raportime të mediave, pa ndonjë dëshmi konkrete për atë që janë akuzuar”.