Stoltenberg: NATO-ja e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë
NATO-ja është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veriun e këtij vendi, të banuar me shumicë serbe, tha të enjten shefi i aleancës, Jens Stoltenberg.
Ai shtoi se 700 trupat e para përforcuese, janë tashmë në rrugë për në Kosovë.
"NATO-ja do të mbetet vigjilente. Ne do të jemi atje për të siguruar një mjedis të sigurt, si dhe për të qetësuar dhe ulur tensionet", u tha Stoltenberg gazetarëve në margjina të një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
NATO-ja vendosi ta rriste misionin e saj prej 4.000 trupash në Kosovë edhe me 700 trupa shtesë, pasi 30 paqeruajtës të saj u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit, më 29 maj.
Stoltenberg tha se dhuna kundër trupave të NATO-s është “krejtësisht e papranueshme”.
Shikoni pamjet:
Protestuesit mblidhen edhe në Leposaviq
Protestues serbë kanë nisur të mblidhen edhe në Leposaviq, ku para objektit të komunës duken ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Rakiq thotë se KFOR-i u dislokua për të penguar Policinë e Kosovës; KFOR-i s’e konfirmon
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se pas bisedës së djeshme me kolonelin e trupave amerikane të KFOR-it dhe pas kërkesave të kësaj partie, misioni i NATO-s i ka dislokuar forcat e veta në pesë pika në qendër të Zveçanit.
Kjo, sipas Rakiqit, është bërë me qëllim që “të parandalohet hyrja e njësisë speciale të Policisë [së Kosovës]” dhe “të mos ndodhë ndonjë incident”.
Forcat e KFOR-it janë të pranishme në rrugët e Zveçanit që nga pasditja e djeshme, por nga KFOR-i nuk kanë konfirmuar se arsye për këtë është parandalimi i Policisë së Kosovës.
REL-i ka dërguar pyetje në KFOR, por ende nuk ka përgjigje.
Rakiq tha se pret që KFOR-i “ta mbrojë popullin që proteston”.
Në protestën e sotme në Zveçan janë edhe minatorët. Rakiq tha se ata nuk kanë mundur ta bëjnë punën e tyre që nga e premtja.
Minatori i minierës Crnac, Darko Milloviq, i cili foli për mediat në emër të kolegëve të tij, tha se prodhimi është pezulluar që nga e premtja "për shkak se forcat speciale kanë bllokuar flotacionin dhe nuk lejojnë kamionët të transportojnë minerale nga miniera në flotacion".
Ai tha se pagat e tyre varen nga ajo që prodhojnë.
Stoltenberg: Dhuna kundër KFOR-it, "krejtësisht e papranueshme"
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se dhuna kundër paqeruajtësve të misionit të NATO-s, KFOR, në Kosovë ishte "krejtësisht e papranueshme".
Përleshjet midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it në Zveçan - komunë në veri të Kosovës – lanë 30 ushtarë të plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues, më 29 maj.
Trazirat në veri të Kosovës u intensifikuan prej se kryetarët shqiptarë morën detyrën në këtë zonë me shumicë serbe, më 26 maj.