Sveçla: Serbët po kushtëzohen për pjesëmarrje në protesta
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se qytetarët serbë në komunat veriore janë të kushtëzuar që ta dalin në protesta e organizime të drejtuara nga subjekti politik serb, Lista Serbe.
“Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë”, ka shkruar ministri Sveçla duke iu referuar fotografive të publikuara nga Radio Evropa e Lirë në të cilat disa qytetarë serbë shihen duke u nënshkruar në një listë në qytetin e Zveçanit.
Ministri Sveçla tha se këto veprime duhet të ndalen në mënyrë që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, duhet ta ndalojë mbështetjen për "bandat kriminale" nëse vërtet do paqe.
- Vuçiq u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që t’i tërheqin, siç i quajti ai, "kryetarët e supozuar" nga komunat me shumicë serbe në veri, për t’i ulur tensionet.
- Dy udhëheqësit gjenden në Kishinjev të Moldavisë, ku po mbahet një samit evropian, në të cilin po diskutohet edhe për zhvillimet në Kosovë.
- Në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti tha se do ta zvogëlonte praninë e policisë në veri të Kosovës, atëherë kur të largohen “bandat kriminale” të Serbisë.
- Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca ushtarake është e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë, për të ruajtur paqen.
- Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, qytetarët serbë janë duke vazhduar protestat kundër kryetarëve shqiptarë, ndonëse në numër më të vogël, krahasuar me ditët paraprake.
Kurti: E zvogëlojmë praninë e policisë kur të largohen bandat kriminale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se situata e tensionuar në veri të vendit është pasojë e "grupeve të armatosura, të cilat shtiren si protestues, e në fakt janë banda kriminale" të Serbisë.
"Unë natyrisht që mund ta paramendoj zvogëlimin e [pranisë së] Policisë së Kosovës nëpër ndërtesat e komunave [në veri], atëherë kur të largohen këto banda kriminale të nacionalizmit e shovinizmit të djathtë ekstrem, të cilat e adhurojnë Millosheviqin e Putinin", tha Kurti në një adresim për gazetarë.
"Ato, ose le të shkojnë në Serbi, ose duhet t’i çojmë në burg. Mirëpo, nuk ka mundësi që ne të mos i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e tilla. Kur ato të largohen ose mbyllen, ne do të mund ta zvogëlojmë prezencën", tha Kurti.
Vuçiq bisedon me Macronin për situatën në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ka diskutuar për hapat e mëtejshëm drejt ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon.
Dy liderët u takuan në margjina të një samiti evropian në Kishinjev të Moldavisë.
“Shpreha shqetësimin tim për përshkallëzimin e fundit të dhunës në ‘Kosovë dhe Metohi’ dhe e falënderova për qëndrimin dhe mbështetjen e vendosur ndaj Serbisë, në lidhje me zhvillimet e fundit në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Vuçiq.
Një ditë më herët, Macron tha se i bën përgjegjëse autoritetet e Kosovës për tensionet në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.