Qindra protestues në Zveçan
Qindra protestues serbë u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Zveçan, për të vazhduar protestën kundër kryetarit shqiptar të komunës.
Kujtojmë se Zveçani ishte skenë e përleshjeve të dhunshme midis protestuesve dhe ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, më 29 maj.
Protestat, ditëve të fundit, ishin kryesisht të qeta.
Në Zveçan…
Pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, marrin pozicionet e tyre në Zveçan.
Aleanca ushtarake e NATO-s ka rritur praninë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas tensioneve që ka shkaktuar hyrja e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave: Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Osmani dhe Vuçiq për krizën në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkëmbyen akuza për tensionet në veri të Kosovës, përpara se të takoheshin në praninë e disa udhëheqësve evropianë në Kishinjev të Moldavisë.
Protestat vazhdojnë, BE-ja rrit presionin diplomatik mbi Kosovën
Protestat kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës vazhdojnë edhe sot - për të pestën ditë me radhë.
Numri i pjesëmarrësve ka qenë më i ulët dje, krahasuar me ditët paraprake.
Kosova është vënë nën presion diplomatik për të shtensionuar situatën.
Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri.
Janë tri kërkesa që BE-ja nxori për Kosovën:
- Zgjedhje të reja tani
- Të sigurohet pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to
- Të nisë puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe
“Dështimi për t’i bërë këto, do të ketë pasoja serioze në marrëdhëniet tona”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.