Ndërlidhjet

Rikthimi në krizë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila vlerësoi se u shkel Kushtetuta me rastin e zgjedhjes së presidentit, analistët e shohin si një vazhdim të papritur të krizës politike në Kosovë. Brenda gjashtë muajve, Kushtetuesja dha vlerësim për dy shkelje të Kushtetutës, që të dyja në qendër kishin presidentët. Analistët shprehin pikëpamjet e tyre se çfarë mund të prodhojë vendimi i fundit.


Rivotim i presidentit, prishje e koalicionit, zgjedhje të reja - janë këto opsionet që përmendin analistët për çështje politike, të cilët thonë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi shkeli Kushtetutën me rastin e zgjedhjes së presidentit, vetëm sa e ka rikthyer Kosovën në krizë.

Analisti Shkëlzen Maliqi parapëlqen që të presë shpalljen e aktvendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, në të cilin pritet të jepen arsyetimet e vendimit, si dhe masat që duhet të ndërmarrë Kuvendi.

Sidoqoftë, Maliqi konstaton se vendimi paraqet një vazhdim të papritur të krizës.

Shkëlzen Maliqi

“Nuk i dimë të gjitha pasojat, sepse nuk e dimë se çka përmban pjesa pasuese e vendimit. Është çudi që ka dalë vetëm kështu - vendimi pa argumentimet. Pra, duhet të presim kur të shpallet në tërësi, të shohim se çfarë instrumente për tejkalimin e krizës ka paraparë Gjykata Kushtetuese”,
thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese është i dyti brenda gjashtë muajsh që konstaton se institucionet qendrore po shkelin Kushtetutën.

Herën e parë vendimi kishte të bënte me presidentin Sejdiu, për të cilin u tha se bëri shkelje duke mbajtur edhe postin e kryetarit të partisë. Ndërsa, në të dytin, duket se fajësohet Kuvendi se nuk përfilli procedurat e parapara në nenin 86 të Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit.

Analisti Ardian Arifaj thotë se nga pikëpamja politike, ky nuk është lajm i mirë për Kosovën.

“Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik, për institucione stabile, të forta, që do të punojnë për Kosovën, ndërsa ky është një hap prapa për institucionet e Kosovës, një humbje kohe dhe një goditje për përpjekjet e Kosovës për ta treguar veten si një faktor serioz në skenën ndërkombëtare”,
vlerëson Arifaj.

Analisti Shkëlzen Maliqi fajëson kryetarin e Kuvendit për mosndërprerje të seancës së 22 shkurtit, në kohën kur është parë se po shkelen procedurat.

Megjithatë, Maliqi thotë se në të vërtetë, vetë Kushtetuta lë hapësirë për interpretime të ndryshme.

“Na mungon ekspertiza në të gjitha nivelet, prej momentit që vetë teksti i Kushtetutës është i paqartë dhe mund të interpretohet edhe ashtu edhe kështu. A nënkupton ajo që kryetari që zgjidhet duhet t’i ketë dy të tretat e votave, apo në sallë duhet të jenë dy të tretat për ta votuar?!”.

“Kjo është çështja që ndryshe lexohet ai paragraf, në të cilin thirret Kushtetuesja. Mendoj se përgjegjësia më e madhe është te kryetari i Kuvendit, i cili ka mundur të intervenojë për të treguar se diçka nuk është në rregull. Ato janë disa nene dhe nuk ka qenë tekst i vështirë. Por, duket, se edhe Kuvendi ka punuar me inercion duke u thirrur në zgjedhjet e mëhershme”
, shpjegon Maliqi.

Mund të tejkalohet pa krizë të madhe, por edhe mund të çojë në krizë të madhe, në rënien e Qeverisë dhe në zgjedhjet e reja.
Aktvendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese është thënë se do të bëhet publik të mërkurën. Derisa kanë munguar reagimet e para të zyrtarëve të Presidencës e të Qeverisë, analisti Ardian Arifaj, thotë se çfarëdo që të prodhojë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për një gjë duhet pasur shumë kujdes - ruajtjen e rendit kushtetues.

“Sa do të reflektohet në politikë, mbetet të shohim. Mund të tejkalohet pa krizë të madhe, por edhe mund të çojë në krizë të madhe, në rënien e Qeverisë dhe në zgjedhjet e reja. Duhet pritur vendimi i plotë, e pastaj të shihet se çka thonë ligjet, çka thotë Kushtetuta dhe me rëndësi është që krejt ato që zhvillohen, të ruhet rendi kushtetues, të ruhen ligjet e Kosovës”
, thekson Arifaj.

Ekspertët ligjorë kanë paraparë se vendimi i Kushtetueses do ta kthejë procesin në pikën zero- që nënkupton rivotim eventual të presidentit.

Mirëpo, të paktën një parti opozitare ka thënë se sërish do të bojkotojnë seancën kur do të zgjidhet presidenti.

Sipas ekspertëve, nëse merret tani parasysh vendimi i Kushtetueses, raundi i parë dhe i dytë i votimit të presidentit nuk mund të zhvillohet pa qenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve në sallë, aq sa edhe duhen vota për zgjedhjen e presidentit në këto dy raunde.

Lexoni edhe këto:

Skenarët e mundshëm
Sfida e zgjedhjes së presidentit

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG