Ndërlidhjet

Pacolli rikandidon për president


Behxhet Pacolli
Behxhet Pacolli
Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin e plotë në lidhje me procedurat e zgjedhjes së zotit Behxhet Pacolli në postin e presidentit të Kosovës, në seancën e 22 shkurtit.

Ashtu siç kishte njoftuar dy ditë më parë, Kushtetuesja ka konstatuar se zoti Pacolli nuk është zgjedhur konform procedurave kushtetuese, andaj edhe nuk është president i Kosovës.

Aktvendimi konstaton se procedimi i zgjedhjes së presidentit pa kundërkandidat paraqet shkelje të nenit 86.6 të Kushtetutës së Kosovës. Po ashtu edhe mungesa e kuorumit prej 80 deputetëve të pranishëm në sallë, është vlerësuar si antikushtetuese.

Në reagimet e para pas këtij vendimi, Behxhet Pacolli ka pranuar në tërësi vendimin e Kushtetueses. Ndërsa ka ndërprerë të gjitha aktivitetet si president i Kosovës, Pacolli është rikandiduar për postin e presidentit, ka bërë të ditur këshilltari i tij, Ibrahim Gashi.

“Konsiderojmë se Kuvendi i Kosovës është i vetmi organ kompetent për të ndërmarrë sa më parë hapat e ardhshëm. Duke konsideruar se do të ketë përsëritje të procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se zoti Behxhet Pacolli do të jetë kandidat nga radhët e koalicionit, meqenëse sipas vendimit që pranuam sot nga Gjykata Kushtetuese, zoti Pacolli nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese”, ka theksuar Gashi.

Gjatë ditës, Pacolli ka zhvilluar një takim me kryeministrin Hashim Thaçi. Ky i fundit ka deklaruar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të respektohen, kurse zgjedhja e presidentit, sipas tij, pritet të procedohet në Kuvend qysh javën tjetër.

Foto arkiv
“Do të plotësojmë këtë agjendë që e kemi para nesh, besoj shumë shpejt, që javën tjetër, si Kuvend i Kosovës, si parti politike, por edhe si partnerë të koalicionit. Koalicioni vazhdon agjendën e vet të plotë shtetërore”,
ka thënë Thaçi.

Ai ka ftuar edhe opozitën që të luajë rol konstruktiv dhe të marrë pjesë në procedimin e mëtutjeshëm në Parlament të rastit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Njëherësh, Thaçi është shprehur optimist se Parlamenti do të ketë mundësi që të zgjedhë presidentin sipas procedurave kushtetuese.

“Do të bëjmë zgjidhjen e shpejtë kushtetuese, për çka besoj edhe në rolin pozitiv dhe aktiv edhe të opozitës, për çka edhe i ftoj për participim aktiv në jetën demokratike. Kam besim të plotë se do ta kalojmë me sukses këtë aspekt procedural në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Seanca e 22 shkurtit është udhëhequr nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai ka thënë se nuk ndihet fajtor për shkak se zgjedhja e presidentit cilësohet tani si jokushtetuese, duke sqaruar se stenogramin e seancës e përgatit administrata.

“Unë i kryej përgjegjësitë e mia konform stenogramit që e kam të përgatitur. Unë asnjë shtesë ose mangësi nuk e kam përdorur, përveç asaj që e kam pasur në stenogramin mbi të cilin mbahen seancat plenare”,
ka deklaruar Krasniqi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka pasuar kërkesën e 34 deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët kanë kërkuar interpretimin në lidhje me procedurat e zgjedhjes së zotit Pacolli në postin e presidentit në seancën e 22 shkurtit.

Përveç se e kthen rivotimin për president, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar po ashtu se braktisja e seancës, siç ndodhi me opozitën më 22 shkurt, përbën shkelje, ngase për respektimin e kushtetutshmërisë, në Parlament patjetër duhet të ketë të paktën dy kandidatë në garën për president, ndërsa kërkohet që gjatë votimit në sallë të jenë dy të tretat apo 80 deputetë të pranishëm.
XS
SM
MD
LG