Ndërlidhjet

Fillon regjistrimi i popullsisë


Prishtinë
Prishtinë
Në Kosovë sot ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, projekt ky që do të zgjasë 15 ditë, thonë zyrtarët qeveritarë.

Rifat Blaku, kryetar i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, pohon se kanë përfunduar përgatitjet e nevojshme në të gjitha komunat e Kosovës. Ai shpreh bindjen se procesi do të jetë i suksesshëm.

“Sipas informatave që vijnë nga terreni, përveç tri komunave të veriut, në pjesët tjera çdo gjë është duke u zhvilluar sipas planit, agjendës dhe strategjisë. Shpresojmë se do të bëjmë punë për një projekt rezultativ”, thotë Blaku.

Gjatë procesit të përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë, autoritetet përgjegjëse kanë zhvilluar aktivitete të shumta në pjesë të ndryshme të Kosovës, për të informuar dhe vetëdijesuar qytetarët për rëndësinë dhe procedurat e nevojshme rreth këtij projekti.

Disa qytetarë nuk janë dhe aq të kënaqur me punën e institucioneve kompetente në këtë drejtim, por, megjithatë, shprehen të gatshëm që t’i përgjigjen pozitivisht procesit. Besnik Muçolli është njëri prej tyre.

“Nuk e di se sa është valide që të bëhet regjistrimi në këtë kohë. Është i nevojshëm, por jo në këtë kohë, më vonë”, thotë ai.


Veriu, sfidë për procesin e regjistrimit

Agim Imeri jeton në pjesën veriore të Mitrovicës. Ai ende nuk është i njoftuar nëse institucionet vendore apo ndërkombëtare do ta realizojnë regjistrimin e popullsisë në këtë anë.

“Atje nuk e dimë se si do të bëhet regjistrimi i popullatës. Tanët (qeveria) nuk kanë qasje atje. Këta po thonë se ndërkombëtarët do ta bëjnë regjistrimin e jo ne... Nuk e di se sa është e vërtetë, s’di çka ka në këtë punë”, shprehet Imeri.

Se veriu i Kosovës do të mbetet sfidë për procesin e regjistrimit thotë edhe Melihate Tërmkolli, ish-ministre e Administratës Publike. Ajo thotë se e përkrah procesin e filluar sot, por shpreh dilema dhe shqetësime rreth regjistrimit të serbëve në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne kemi dilema dhe dyshime në veçanti rreth regjistrimit të serbëve, për faktin se ai nuk do të bëhet nga institucionet e Kosovës, ashtu siç është paraparë me ligj, ashtu siç ndodh gjithkund në botë”, thotë Tërmkolli.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, nuk beson se serbët do t’i përgjigjen thirrjes për regjistrim.

Mitrovicë
“... sepse, ne nuk mund t'iu besojmë institucioneve në Prishtinë. Edhe më herët ka pasur shumë manipulime, pra kemi përvoja negative. Kushti ynë që serbët të marrin pjesë në regjistrim, është që këtë proces, në gjithë territorin e Kosovës, ta bëjë Zyra për Shërbime Projektuese e Kombeve të Bashkuara – UNOPS. Kjo është organizatë e specializuar e Kombeve të Bashkuara”,
thekson Ivanoviq.

Edhe banorët serbë të veriut thonë se nuk do të marrin pjesë në regjistrimin.

Jellena Simiq hedh poshtë pjesëmarrjen në këtë proces, nëse ai organizohet nga Prishtina zyrtare.

“Duhet të dëgjojmë përfaqësuesit tanë dhe autoritetet qendrore, qeverinë dhe presidentin. Vetëm nëse Kombet e Bashkuara nënshkruajnë regjistrimin e popullsisë, atëherë edhe ne, si të gjithë evropianët, do të dalim në regjistrim”, thotë ajo.

Ndërkaq, Millosh Petroviq, lidhur me këtë temë, shprehet:

“Për mua Kosova është e humbur. Asgjë nuk do të fitojmë e as humbasim, edhe sikur të dalim, edhe sikur të mos dalim, sepse Kosova është e humbur”.

Rifat Blaku thotë se lidhur me këtë proces, serbët janë të manipuluar nga Beogradi zyrtar. Ai pohon se regjistrimi në pjesën veriore të Mitrovicës do të realizohet nën menaxhimin e EUROSTAT-it dhe UNOPS-it.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është mbajtur para 30 vjetësh.
XS
SM
MD
LG