Ndërlidhjet

Në kërkim të konsensusit


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Në përpjekje të arritjes së një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, nisi raundin e parë të bisedimeve me përfaqësuesit e partive politike. Krasniqi tha se i ka dëgjuar kushtet e partive, kryesisht opozitare, dhe bëri thirrje për një marrëveshje për tejkalimin e krizës.


Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, zhvilloi raundin e parë të bisedimeve me përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Të mërkurën Krasniqi u takua kryesisht me partitë opozitare, ndërkaq të enjten ftoi partitë në pushtet.

Konsultimet nuk sollën ndonjë rezultat që do të çonte drejt ndonjë marrëveshjeje. Por, u tha se secila parti politike ka paraqitur pikëpamjet në lidhje me zgjidhjen e nyjës së zgjedhjes së presidentit.

Ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, tha se konsultimet janë të domosdoshme pasi që tash për tash nuk ka gjasa të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit pa një marrëveshje edhe me opozitën.

“Janë biseda konsultative për t’i parë qëndrimet e partive politike dhe pastaj varësisht si do të ecin zhvillimet politike gjatë kësaj jave, ne mendojmë që javën e ardhshme të ftojmë edhe një takim të përbashkët të subjekteve politike”,
tha Krasniqi.

Krasniqi u shpreh optimist se zgjidhja do të arrihet. Sipas tij, si takimet që zhvillohen me ushtruesin e detyrës së presidentit, ashtu edhe ato që zhvillohen me përfaqësuesit ndërkombëtarë, kanë një qëllim - tejkalimin e gjendjes së krijuar me zgjedhjen e presidentit.

Derisa bisedimet për presidentin po vazhdojnë në dy nivele, atë me prani ndërkombëtare dhe në nivel vendor, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përveç se u takua me presidentin në detyrë, mblodhi edhe Kryesinë e LDK-së, ku edhe i paraqiti qëndrimet e tij në lidhje me tejkalimin e krizës.

Mustafa tha se çështja e kandidaturës së Behxhet Pacollit për president, mbetet temë e negociatave, por veçoi tri kushte, të cilat LDK-ja kërkon që t’i plotësohen para se të pajtohet që t’i kthejë deputetët e partisë së tij në seancën ku do të votohej për zgjedhjen e presidentit.
Isa Mustafa

“Kërkesat kanë qenë ato që ne i kemi dhënë tashmë, që të bëhet reforma e sistemit zgjedhor, të bëhet ndryshimi i Kushtetutës në lidhje me zgjedhjen e presidentit në mënyrë që ai të zgjidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pastaj të caktohet edhe afati i ndryshimit të Kushtetutës dhe afati i ndryshimit të ligjeve zgjedhore, si atij të presidentit, ashtu edhe i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Po ashtu, të caktohet një afat, në të cilin do të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme”,
u shpreh Mustafa.

Kushtet e veta për mbështetjen e zgjedhjes së presidentit i ka vënë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se ia ka bërë me dije ushtruesit të detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, se Vetëvendosje i ka tri kushte, të cilat lidhen me ekzistencën e Pakos së Ahtisarit, privatizimin e ndërmarrjeve të mëdha publike dhe bisedimet me Serbinë.

“Ne shpjeguam se çfarëdo bashkëpunimi i Lëvizjes Vetëvendosje me subjektet tjera politike, do të kanalizohet nëpërmjet tri kushteve që i kemi ne: që të ndalet Plani i Ahtisarit, që të ndalen negociatat me Serbinë dhe që të ndalet edhe privatizimi i PTK-së dhe pasurive të Kosovës pa kurrfarë kriteri”, theksoi Konjufca.

Kriza me zgjedhjen e presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u konstatua se zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit në seancën e 22 shkurtit ishte anti-kushtetuese, kështu që procesi tani është kthyer në zero.

Andaj, liderët e partive politike, me mbështetje dhe ndërmjetësim edhe të faktorit ndërkombëtar, janë në kërkim të një zgjidhjeje, pasi që koalicioni qeverisës nuk e ka kuorumin e nevojshëm që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit pa mbështetjen e opozitës.

Partitë opozitare janë kërcënuar se pa një marrëveshje paraprake do ta bojkotojnë sërish seancën dhe pamundësojnë zgjedhjen e presidentit, kështu që partitë në pushtet janë të shtrënguara që t’i bëjnë disa lëshime për të tejkaluar krizën dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Lexoni edhe këto:
Krizat politike dhe njohjet
Krasniqi: Gjendja është kthyer në zero
Demaçi: Pranoj të bëhem president
XS
SM
MD
LG