Ndërlidhjet

Për Trepçën vendos Kosova


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Autoritetet përgjegjëse kanë deklaruar se në privatizimin apo rivitalizimin e kombinatit Trepça nuk do të ketë ndikim nga jashtë. Komentet e tyre vijnë pas deklaratave të Beogradit zyrtar, të cilat sugjerojnë Qeverinë e Kosovës të heqë dorë nga privatizimi i këtij kompleksi.


Ende nuk ka ndonjë vendim nga autoritetet përgjegjëse se a do të privatizohet apo rivitalizohet kompleksi metalurgjik Trepça, që gjendet në Mitrovicë.

Por, ajo që aktualisht dihet, është se çfarëdo procesi që t’i nënshtrohet ky kompleks, nuk do të ketë ndikime nga jashtë, thonë zyrtarë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Komentet e zëdhënësit Ylli Kaloshi vijnë në përgjigje të deklaratave të Beogradit zyrtar, të cilat sugjerojnë Qeverinë e Kosovës të mos ngutet me privatizimin e këtij kompleksi.

“...në asnjë mënyrë! Në nenin 159 të paragrafit 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është përcaktuar se të gjitha interesat në pronësi shoqërore, në prona dhe ndërmarrje në Kosovë, do të jenë në pronësi të Republikës së Kosovës”.

“Gjithashtu në nenin 5 të ligjit të AKP-së është përcaktuar në mënyrë shprehimore se Agjencia është e autorizuar të administrojë me ndërmarrjet me pronësi shoqërore në vendin tonë, si dhe me asetet e tyre, pa marrë parasysh se a gjenden brenda apo jashtë territorit të Kosovës”,
thekson Kaloshi.

Ditë më parë, zyrtarë në Qeverinë e Serbisë kanë apeluar te përfaqësuesit e institucioneve kosovare të heqin dorë nga privatizimi i Trepçës, duke thënë se kjo çështje duhet të diskutohet në Bruksel.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se në procesin e transformimit të pronës së Trepçës nuk duhet lejuar asnjë ndërhyrje nga jashtë.

Eksperti Nagip Skenderi thotë se për të gjitha ndërmarrjet publike, përgjegjëse duhet të jenë institucionet kosovare.

“Privatizimi i Trepçës, ashtu sikurse i ndërmarrjeve të tjera publike në Kosovë, duhet të shkojë konform planit të punës, të cilin Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka hartuar në koordinim me Qeverinë e Kosovës, e assesi të mos shkojë në formë të planeve të Serbisë”.

“A merr Qeveria e Kosovës vendim për privatizim, rivitalizim ose ndonjë formë tjetër, ajo varet nga vullneti, planet ekonomike dhe assesi nuk guxon të përzihet dikush nga jashtë“,
thotë Skenderi.

Shërbimi juridik i ndërmarrjes Trepça ka dorëzuar në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme një padi kundër Serbisë për dëmet ekonomike që ky shtet i ka shkaktuar Trepçës nga viti 1990 e deri më 1999.

Vlera e dëmit pas vendosjes së masave të dhunshme në vitin 1990, e deri në përfundim të luftës më 1999, vlerësohet se kap shifrën mbi 880 milionë dollarë.
XS
SM
MD
LG