Ndërlidhjet

Fushatë me tensione


Që prej zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009, në Shqipëri mungon dialogu politik, thonë analistët.
Që prej zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009, në Shqipëri mungon dialogu politik, thonë analistët.
Një seri incidentesh me sfond politik janë shënuar gjatë fushatës zgjedhore në Shqipëri - simpatizantë që përplasen për flamuj elektoralë e deri te plagosja me armë zjarri, nën justifikimin e mbrojtjes së siglës së partisë.

Për analistin Lutfi Dervishi gjithçka rrjedh nga mungesa e dialogut politik që prej zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit 2009.

“Është e vërtetë që ka një tension më të madh, krahasuar me tensionet që kanë pasur fushatat e tjera. Por, do të thosha që relativisht është më qetë sesa para se të futeshim në fushatë, kur ka qenë një atmosferë ende më e tensionuar".

"Shkak i tenisoneve në radhë të parë është sfondi i atmosferës tejet të polarizuar – hapësira për kompromis dhe dialog është shumë e vogël, ndërsa mundësia për përplasje është më e madhe. Në radhë të dytë është vetë karakteri i zgjedhjeve. Zakonisht në prag të fushatave të tensionuara, në prag të një tensioni politik, elementi kriminal gjallërohet”,
thotë Dervishi.

Për analistin Andi Bejtja, në këtë atmosferë të ndezur politike ka gisht dhe futja në garën për Bashkinë e Tiranës e Edi Ramës, që në rast të fitores, do të administronte për herë të katërt bashkinë më të rëndësishme në vend. Humbja, sipas zotit Bejtja, do t’i kushtonte shumë politkisht zotit Rama, në një kohë kur ai drejton Partinë Socialiste.

“Ka një tensionim elektoral, sepse vetë futja në garë e kandidatit të Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Edi Rama, që nuk është vetëm në pozitën e kryetarit të bashkisë dhe kandidatit për bashkinë, por është dhe kryetar i Partisë Socialiste, e bën këtë garë shumë të madhe".

Gara për Tiranën përball Edi Ramën e PS-së me Lulzim Bashën e PD-së.
"Po ta thuash me pak fjalë, Edi Rama ka vendosur një bast shumë të madh me veten dhe Partinë Socialiste, sepse po i humbi këto zgjedhje, të cilat ai i quan zgjedhje politike më shumë sesa vendore, i bie që të japë llogari edhe politikisht për këto zgjedhje”,
thotë Bejtja.

Analistët parashikojnë tensione edhe në ditën e zgjedhjeve. Por, për zotin Dervishi, situata do të jetë më e vështirë pas ditës së votimit.

“Tensionimi dhe përplasjet që mund të vijnë, mund të jenë të instrumentalizuara, për shkak se partitë politike që kontrollojnë procesin zgjedhor, i dinë shumë mirë forcat e njëra-tjetrës – pra, do të shohim, do të ketë taktika bllokuese apo taktika për incidente për të zhvlerësuar qendrat e votimit, ku kundërshtari është më i fortë".

"Ajo çfarë i tensionon në të vërtetë zgjedhjet, është dita pas zgjedhjeve. Këto kanë qenë ditët më problematike në kuptimin e nxjerrjes së rezultatit, shpalljes së rezultatit, në kuptimin e bllokimit të qendrave të numërimit”,
thekson Dervishi.

Zoti Bejtja thotë se ndërkombëtarët kanë shumë në dorë për të shuar tensionin paszgjedhor, duke mos lënë shteg për interpretim të dyfishtë të raportit mbi zgjedhjet.

“E rëndësishme në zgjedhjet e 8 majit është që palët, kushdo që humb apo fiton, të pranojnë arbitrin ndërkombëtar, të pranojnë raportin e OSBE-ODIHR-it, që mendoj se në keto zgjedhje do të jetë më specifik dhe më i qartë – të mos thotë për shembull se zgjedhjet në pjesën dërrmuese ishin të mira ose të këqija, por të thotë se zgjedhjet njihen ose nuk njihen".

"Në varësi të vendimit të tij, palët të adaptohen me këtë vendim dhe ta respektojnë”,
thotë Bejtja.

Ky tension në fushatë dukshëm ka shqetësuar edhe institucionet ndërkombëtare që monitorojnë procesin. Në mënyrë të vazhduar, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai i Komisionit Evropian dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë kanë bërë thirrje për qetësi, duke kujtuar se këto zgjedhje do të jenë vendimtare për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG