Ndërlidhjet

(Mos) Sukseset e procesit të privatizimit


Mbi 545 ndërmarrje shoqërore, deri më tani, janë paraqitur në tender për t’u privatizuar, që nga viti 2003, kur edhe ka filluar procesi i privatizimit në Kosovë. Prej tyre janë privatizuar 353 ndërmarrje të reja, 323 janë privatizuar me spin-off të rregullt, ndërkaq 20 prej tyre me spin-off special, që nënkupton mosndryshimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve.

Ekrem Tahiri, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, thotë se javën e ardhshme do të përmbyllet edhe vala e 30-të e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, duke shtuar se përfitimet e Kosovës nga ky proces janë të shumta, duke e përmendur në këtë kuadër edhe rritjen e numrit të të punësuarve. “Në një hulumtim që është bërë nga AKM-ja, në muajin maj, pastaj një hulumtim tjetër i pavarur që është bërë nga Agjencia Evropiane për Rindërtim, në 55 ndërmarrjet e privatizuara, të cilat janë zgjedhur rastësisht, ka pasur rritje 23 për qind në punësim dhe ka pasur mbi 45 milionë euro investime, që i bie mbi 700-800 mijë euro për secilën ndërmarrje. Gjithashtu ka pasur rritje në ekspertë, që ka qenë në një rritje deri në 26 për qind në baza mujore”, pohoi Tahiri.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore ka mundur të jetë më i suksesshëm. Edmond Hajrizi, drejtor ekzekutiv i Universitetit për Teknologji dhe Biznes, thotë se modeli i privatizimit ka qenë në mënyrë të duhur, por në këtë kuadër ka ndikuar siguria politike, çka, sipas tij, nënkupton që investitorët e huaj nuk kanë qenë të sigurt të investojnë në Kosovë. Megjithatë, ai pohon se është nevojitur edhe një përkushtim më i madh edhe nga vetë kosovarët. “Pse nuk ka mundur të jetë më i suksesshëm, ka qenë çështja e situatës politike dhe e sigurisë, që nuk i ka motivuar investitorët e jashtëm që të vijnë të investojnë në Kosovë. Zakonisht, ata kanë investuar dhe investojnë në raste kur ka përfitueshmëri më të madhe, më të shpejtë”, u shpreh Hajrizi.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se me gjithë përparimet në këtë proces, nuk ka hapësirë për mburrje me sukseset e arritura. Ai më tutje përmend fitimet dhe humbjet nga ky proces. “Kanë fituar ndërmarrësit që i kanë marrë ato kompani dhe kanë filluar të prodhojnë nga ato fabrika të privatizuara; janë krijuar shumë vende të reja të punës, të qëndrueshme. Por, ka humbur, sepse paratë e grumbulluara në AKM, nuk janë të futura në ekonominë kosovare, që do të jetë ndoshta një infuzion i mirë për të zhvilluar këtë ekonomi, e cila nuk është ajo çka dëshirojmë“, tha Shahini.

Edhe Edmond Hajrizi thotë se problemi më i madh në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit është bllokimi i mjeteve të mbledhura nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore. Ai thotë se në këtë çështje duhet shumë shpejt të ndërmerret diçka, në mënyrë që këto para të qarkullojnë në tregun kosovar. “Kosova ka shumë nevojë për buxhet dhe ato mjete është dashur të gjenerohen; në një mënyrë apo tjetrën, të jenë në funksion në Kosovë, qoftë përmes bankave, qoftë përmes kredive të ulëta, qoftë përmes relacioneve të tjera. Këtu patjetër duhet të merren masa, sa më shpejt që është e mundur”, theksoi Hajrizi.

Nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Fondin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit janë mbledhur mbi 390 milionë euro, thotë Ekrem Tahiri, duke shtuar se këto mjete mbahen në Autoritetin Qendror të Bankave dhe Pagesave. Tahiri thotë se shpërndarja e këtyre mjeteve do të fillojë shumë shpejt ndaj kreditorëve dhe borxhlinjve të ndërmarrjeve. “Sa i përket futjes së këtyre mjeteve në treg, rregullat e AKM-së e kanë paraparë shumë mirë që 20 për qind të shkojnë tek punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, kurse 80 për qind e tyre t’i shlyejnë kreditorët dhe borxhlinjtë. Dhe, aty, të sqarohet më mirë, hyjnë, punëtorët, pagat e papaguara, taksat që mund t’i kenë administratës tatimore apo kuvendit komunal, rryma, uji, shërbimet tjera, e kështu me radhë. Në muajin shkurt apo mars priten edhe distribuimet e para prej këtij fondi”, tha Tahiri.

Ndryshe, më shumë se 200 ndërmarrje tjera shoqërore ende presin të privatizohen. Sipas zyrtarëve të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, përveç Kompleksit metalurgjik ‘Trepça’ dhe Kompleksit turistik ‘Brezovica’, ndërmarrjet tjera janë kryesisht të vogla dhe toka bujqësore.
XS
SM
MD
LG