Ndërlidhjet

Përgatitjet për Konferencën e donatorëve



E vetmja shpresë për zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik në Kosovë, për ekspertë të ekonomisë dhe zyrtarë të Qeverisë, mbetet konferenca e donatorëve, e cila thuhet se do të mbahet menjëherë pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave thonë se tashmë kanë filluar përgatitjet intensive për këtë konferencë, ndërkaq, pikërisht për këtë çështje, edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave gjendet në Bruksel, për të biseduar me donatorët kryesorë, që të shikojnë veprimet e tyre, që në ato segmente ku buxheti i Kosovës është i vogël, të kërkohet ndihmë. Megjithatë, dihet se konferenca do të mbahet dhe Kosova do të marrë donacione, por ende nuk dihet se sa do të marrë dhe sa do të kërkojnë institucionet vendore.

Bedri Hamza, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave, thotë se për këtë konferencë, Qeveria e Kosovës është shumë e përgatitur. “Ne jemi duke punuar me energjinë më të madhe, që me rastin e organizimit të konferencës së donatorëve, t’i kemi të gjitha dokumentet e nevojshme dhe normalisht t’i kemi projektet, për të cilat synojmë që të kemi donacione për zbatimin e tyre”, u shpreh Hamza.

Por, ekspertë për çështje ekonomike, në këtë kuadër, shprehin shqetësimin e tyre në mungesë të prioriteteve zhvillimore nga institucionet e Kosovës. Ismail Kastrati thotë se mungesa e projekteve konkrete do të paraqesë vështirësi për donatorët, që të gjejnë projekte të mira ku mund të financonin. Ai thotë se Qeveria e Kosovës tashmë është dashur t’i publikojë projektet, të cilat parashihen të paraqiten në konferencën e donatorëve. Madje, sipas Kastratit, problem tjetër në këtë aspekt është edhe mungesa e Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës. “Qeveria e re, në përbërje të re, duhet ta këtë prioritet, që në mënyrë të përgatitur, t’i presë donatorët, të ketë projekte ideore, por edhe të përfunduara për zbatimin e tyre, për thithjen e mjeteve nga donatorët”, tha Kastrati.

Por, Bedri Hamza thotë se Ministria e Ekonomisë tashmë ka projekte të mjaftueshme, të cilat janë të gatshme, ndërkaq disa të tjera janë në fazën finale. Një ndër projektet kryesore, Hamza përmend Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, e cila do të prezantohet në konferencën e donatorëve. “Aktualisht, ne kemi një kornizë afatmesme të shpenzimeve të aprovuar, në të cilën është duke u punuar për të ndryshuar dhe freskuar, për të hyrë edhe projekte të tjera, përveç atyre që kanë qenë të parapara aty. Ndërsa, sa i përket strategjisë, ne kemi pasur disa tentativa deri tash, nuk është bërë finalizimi i atyre strategjive”, tha Hamza.

Por, sa është shuma e mjeteve financiare që institucionet kosovare do të kërkojnë nga donatorët? Bedri Hamza pohon se nevojat e Kosovës, pas zgjidhjes së statusit, janë të mëdha, megjithatë, një vlerësim i saktë ende nuk është bërë. “Ne do të kërkojmë, sepse Kosova ka nevojë për shumë projekte. Ka nevojë për infrastrukturë rrugore, edhe për shumë ujësjellës, për shkolla, për ngritje të kapaciteteve të qeverisjes. Kemi nevoja të mëdha, ndërkaq mundësitë tona financiare nuk janë të mjaftueshme. Normalisht, atë deficit dhe atë disbalancë në mes nevojave dhe mundësive financiare, ne do të kërkojmë që ta kompensojmë me thithjen e donacioneve, me një arsyeshmëri të qëndrueshme“, theksoi Hamza.

Megjithatë, eksperti Ismail Kastrati pohon se edhe donacionet ndërkombëtare nuk do të jenë të mjaftueshme, nëse menaxhimi i tyre nuk bëhet në mënyrë efikase. Ai thotë kështu, sepse edhe pas përfundimit të luftës, Kosova ka pasur disa donacione të huaja, por nga këto mjete, siç thotë ai, për shkak të keqmenaxhimit të tyre nuk është vërejtur ndonjë përmirësim i mundshëm. “Një nga angazhimet që e presin Qeverinë në të ardhmen, është mënyra e shpenzimit dhe menaxhimit të atyre mjeteve dhe sa ato mjete do të japin efekte pozitive në të ardhmen. Ne kemi një përvojë jo të mirë në të kaluarën, prandaj ajo përvojë e keqe duhet të shfrytëzohet në kuptimin pozitiv”, u shpreh Kastrati.

Bedri Hamza pohon se Qeveria e Kosovës do të jetë shumë e përgjegjshme në menaxhimin e donacioneve dhe shfrytëzimi i tyre do të bëhet me një transparencë të plotë. “Ne, së pari, e kemi ngritur nivelin e disiplinës dhe menaxhimit të mjeteve tona buxhetore. Ndërkaq, sa i përket menaxhimit të donacioneve, do të jemi shumë të përgjegjshëm dhe normalisht që të gjitha këto donacione do të shfrytëzohen konform projekteve, konform rregullave dhe me një transparencë të plotë”, tha Hamza.

Data e mbajtjes së konferencës së donatorëve për Kosovën do të vendoset nga Komisioni Evropian dhe Banka Botërore në koordinim me donatorët.
XS
SM
MD
LG