Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

A do ta shkarkojë Trump Muellerin?


Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller.

Policia në qytetin Pitsburg të Shteteve të Bashkuara është duke u përgatitur për trazira, në rast se presidenti Donald Trump shkarkon këshilltarin e posaçëm, Robert Mueller.

Një memorandum nga komandanti i policisë i udhëzon detektivët të jenë në gjendje gatishmërie “deri në njoftimin e radhës”.

Sipas dokumentit, “besohet” se Trump do të shkarkojë së shpejti Muellerin dhe se do të pasojnë protesta të “shkallës së gjerë”.

Mueller është duke udhëhequr hetimet për ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Zyrtarët e qytetit, megjithatë, theksuan se vendimi është vetëm një masë paraprake dhe jo pasojë e ndonjë informacioni për planet e Trumpit.

“Të gjithë detektivëve të krimeve të mëdha u kërkohet të kenë me vete uniformën e plotë dhe të gjitha pajisjet mbrojtëse deri në njoftimin e radhës”, tha komandanti i policisë në Pitsburg, Victor Joseph, në një email që ka siguruar CBS News.

Kryetari i Pitsburgut, Bill Peduto, konfirmoi se urdhri u është dhënë detektivëve të qytetit.

Drejtori i Sigurisë Publike në Pitsburg, Wendell Hissrich, tha se është tipike për qytetin që të përgatitet për ngjarje apo kërcënime të mundshme.

Robert Mueller dhe Donald Trump
Robert Mueller dhe Donald Trump

Grupi i aktivistëve Move On tha se do të organizojë protesta në Pitsburg nëse Mueller shkarkohet, por, sipas rrjetit televiziv CNN, nuk është e qartë nëse paralajmërimi i policisë në këtë qytet është rezultat i protestës së paralajmëruar.

“Ne në Pitsburg jemi duke u përgatitur për t’iu përgjigjur shpejt dhe me forcë pengimit të qartë të drejtësisë”, tha grupi Move On në ueb-faqen e tij, duke shtuar se protesta planifikohen në qytete të mëdha në gjithë SHBA-në.

Ekipi i Muellerit është duke hetuar edhe nëse ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Trumpit dhe agjentëve rusë, për ndikimin e zgjedhjeve të 2016-ës.

Presidenti mohon çdo keqbërje dhe vazhdimisht shpreh zemërimin e tij me hetimet.

Ditë më parë, Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trump beson se hetimet e Muellerit “kanë shkuar shumë larg” dhe se ai e ka fuqinë për ta shkarkuar atë.

Të mërkurën, Trump, përmes një postimi në Twitter, tha se nuk është në nxitim për të shkarkuar Muellerin dhe as zëvendësprokurorin e përgjithshëm, Rod Rosenstein.

Udhëheqësi i Komitetit Gjyqësor të Senatit amerikan, Chuck Grassley, tha se ky komitet do të votojë një ligj për mbrojtjen e Muellerit, pavarësisht kundërshtimeve të republikanëve.

Komiteti do të shqyrtojë legjislacionin javën e ardhshme.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG