Ndërlidhjet

A do të mbijetojë Qeveria greke?


Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras
Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka kërkuar të dielën nga Parlamenti grek që “menjëherë” të bëjë votëbesimin e Qeverisë, pas dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, një kundërshtar i rreptë i marrëveshjes për emrin e ri të Maqedonisë, të cilën deputetët grekë, së shpejti duhet ta ratifikojnë.

“Menjëherë do të nisemi kah ripërtëritja e besimit në Qeverinë tonë (me votim) nëParlament, në mënyrë që të zgjidhen çështjet kryesore të vendit tonë”, ka thënë Tsipras, pas pranimit të dorëheqjes së ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos, i cili ishte aleati kryesor në koalicionin qeverisës.

Kamenos, i cili e udhëheqë një parti më të vogël në koalicionin qeverisës, ka dhënë dorëheqje para se Parlamenti grek të votojë për marrëveshjen me Maqedoninë për emrin, të cilën marrëveshje ai e kundërshton rreptësisht.
Kamenos, pas takimit me kryeministrin Tsipras, u ka thënë gazetarëve që çështja maqedone nuk e lejon të vazhdojë funksionin.

Ai, gjithashtu, ka paralajmëruar tërheqjen e partisë së tij nacionaliste Grekët e Pavarur (ANEL) nga Qeveria. Kjo parti është partner i koalicionit në Qeverinë e Tsipras, të cilës do t’i sillte 7 vota për miratimin e marrëveshjes me Maqedoninë.

Tsipras ka thënë, pas takimit, se ka pasur bisedë të haur me Kamenos dhe se e ka falënderuar për partneritetin në qeveri.

Tsipras, gjithashtu ka paralajmëruar që admirali Evangelos Apostolakis, shef i shtatmadhorisë, do ta zëvendësojë Kamenosin në vendin e ministrit të Mbrojtjes.

Greqia duhet ta miratojë marrëveshjen, me të cilën emri i Maqedonisë do të ndryshojë në Republika e Maqedonisë Veriore.

Video: Kuvendi miratoi emrin e ri, Maqedonia e Veriut

Kjo marrëveshje, të cilën të dyja vendet e kanë nënshkruar në qershor të vitit 2018, është ratifikuar të premten në Parlamentin e Maqedonisë.

Partia e majtë e Tsipras, Syriza, ka 145 deputetë në Parlamentin prej 300 ulëseve, ndërkaq që partia e Kamenosit ka 7 deputetë. Me shkuarjen e këtij partneri të koalicionit, Tsipras do të ketë nevojë për votat e deputetëve opozitarë për ta miratuar marrëveshjen për emrin e ri të Maqedonisë.

Në rast se mbijeton Qeveria e kryeministrit grek Tsipras, kjo do të ishte hera e katërt që Parlamenti do ta votonte besimin për këtë qeveri. Vetëm gjatë vitit 2015, Tsipras kishte fituar zgjedhjet dhe referendumin.

Organizatat që e kundërshtojnë marrëveshjen e Greqisë me Maqedoninë, për emrin e ri, kanë paralajmëruar protestë në qendër të Athinës, më 20 shkurt.

Përgatiti: Bekim Bislimi
XS
SM
MD
LG