Ndërlidhjet

A është varësia nga interneti problem në rritje?


Një djalosh i vogël duke luajtur me lojëra kompjuterike. Fotografi nga arkivi.
Një djalosh i vogël duke luajtur me lojëra kompjuterike. Fotografi nga arkivi.

Cam Adair e ka kuptuar se varësia e tij në lojërat kompjuterike ka dalë nga kontrolli, kur e ka shqyrtuar edhe mundësinë e vetëvrasjes.

“Jam përballur me këtë problem për 10 vjet”, ka thënë ai.

“Kam lënë shkollën e mesme, nuk kam shkuar kurrë në kolegj dhe kam pretenduar se kam punë, për të mashtruar familjen time”.

“Kam shkruar edhe letër për ta lënë mbrapa meje pas vetëvrasjes, mirëpo atë natë e kam kuptuar se më duhet ndihmë. Tani janë bërë 3,860 ditë që jam liruar nga varësia e lojërave”.

Adair, 32-vjeçar nga Kanadaja, ka krijuar grup mbështetës për personat që vuajnë nga varësia e lojërav, transmeton BBC.

Deri më tani, grupi ka më shumë se 75,000 anëtarë në gjithë globin.

Ndonëse teknologjia, e sidomos interneti, i ka ndihmuar botës për ta mbajtur ritmin gjatë pandemisë së koronavirusit, ai ka thënë se kjo periudhë ka qenë e vështirë për personat si vetë ai.

“Pandemia më ka ofruar më shumë kohë sesa zakonisht për të shikuar Twitch (një platformë e drejtpërdrejtë që fokusohet te personat që luajnë lojëra kompjuterike) dhe YouTube”, ka thënë Adair.

“Pjesa më e madhe e përmbajtjes në YouTube ka qenë për lojërat, gjë që mund të shërbejë si nxitje e madhe për të luajtur. Fatmirësisht unë nuk jam rikthyer, por e di që shumë persona të komunitetit u janë kthyer lojërave gjatë pandemisë”.

Libraria Kombëtare e Mjekësisë në Shtetet e Bashkuara tani e klasifikon varësinë nga lojërat si pjesë të varësisë në internet.

Kjo varësi identifikohet si “kontroll i dobët në përdorim të kompjuterit, që çon në dëme apo shqetësime”.

Ndonëse shumë persona mund të thonë se kjo varësi nuk është serioze sikurse alkoolizmi apo varësia në droga, varësia në lojëra mund të përbëjë shqetësim për ata që përballen me të.

Mjeku Andrew Doan, ekspert për varësinë digjitale pajtohet se izolimet e kanë rritur këtë problem.

“Streset e ndryshme në jetë rezultojnë me nevoja për sjellje dhe mekanizma që shkojnë përtej atyre situatave”, ka thënë ai.

“Pandemia ka rritur stresin te njerëzit dhe një mënyrë e përshtatshme për të ikur nga ky realitet është argëtimi përmes mediave digjitale, siç janë lojërat dhe rrjetet sociale”.

Për të ndihmuar në luftim të varësisë nga interneti, një numër i kompanive teknologjike kanë krijuar pajisje që mund të përdoren për të kufizuar qasjen në ueb-faqe apo faqe për lojëra.

Linewize është produkt i tillë që ka cak fëmijët – apo thënë më specifikisht – prindërit e tyre.

Ky aplikacion u mundëson prindërve që nga largësia të kufizojnë dhe të vëzhgojnë kohën që kalojnë fëmijët e tyre duke luajtur lojëra, apo edhe sa kalojnë kohë në internet, qoftë përmes telefonave apo laptopëve.

Linewize po ashtu përmban “çelësa prindërorë” përmes së cilëve parandalohet qasja në material të dhunshëm apo pornografi.

Teodora Pavkvic, psikologe e kualifikuar dhe eksperte për mirëqenie digjitale, me bazë në San Diego, ka thënë se të rinjtë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj platformave online.

“Menaxhimi i kohës së kaluar online në një mënyrë të shëndetshme dhe të balancuar kërkon aftësi tejet të sofistikuara, të cilat nuk zhvillohen tërësisht deri në moshën 25-vjeçare”.

“Platformat online janë ndërtuar për të maksimizuar kohën tonë, vëmendjen dhe të dhënat, prandaj të kombinuara me shumë rreziqe brenda internetit, situata bëhet tejet e vështirë që fëmijët të angazhohen në një botë online, në një mënyrë të përgjegjshme”.

Për të rriturit, varësia nga internet mund të zgjerohet më pas edhe në lojëra fati dhe aplikacione tjera.

BetBlocker është aplikacion që u mundëson njerëzve të bllokojnë qasjen e tyre në dhjetëra mijëra ueb-faqe me lojëra fati dhe aplikacione tjera për një periudhë kohore.

Kur kufizimi të aktivizohet, ai person mund të ketë qasje në lojëra fati derisa të skadojë masa.

Aplikacioni BetBlocker – i cili është falas – mund të kontrollohet edhe nga partneri/ja e dikujt, miqtë apo prindërit.

“Qasja e lehtë në lojëra fati nga shtëpia është pa dyshim një prej sfidave më të mëdha me të cilat mund të përballet dikush me varësi nga to”, ka thënë themeluesi i aplikacionit BetBlocker, Duncan Garvie.

“Secili është duke ecur në rrugë me një kazino në xhep dhe është shumë e lehtë që të luash në fshehtësi”.

Përdoruesit mund të bllokojnë lojërat e fatit për disa orë, ditë apo javë. Njerëzit mund ta përdorin aplikacionin edhe për të bllokuar faqe tjera, siç janë ato të lojërave.

“Aplikacioni synon t’iu ndihmojë përdoruesve, duke krijuar kufizime në kohën sa janë më të cenueshëm”, ka thënë Garvie, me bazë në Edinburg.

GamBlock është një tjetër aplikacion që mund të përdoret ngjashëm për të parandaluar qasjen në faqe që janë me lojëra fati.

Shefi ekzekutiv i kompanisë australiane, David Warr, ka thënë se “ne nuk jemi kundër lojërave të fatit”.

Në fakt, fokusi është që t’iu ndihmohet atyre që i kanë problem këto lloj lojërash.

Përvoja e Doanit për varësi në video-lojëra është fituar ashpër, pasi ai ka qenë vetë i varur.

“Në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin Johns Hopkins, dhe gjatë trajnimeve tjera, unë kam luajtur 80 deri në 100 orë me video-lojëra në një javë, për gati 10 vjet”, ka thënë ai.

Autori i librit që flet për çmimin e video-lojërave dhe varësisë nga interneti, ka thënë se ky i fundit duhet të shihet si dy pjesë të ndara.

“Unë i ndaj mediat digjitale në dy kategori të mëdha – sheqer digjital dhe perime digjitale. Perimet digjitale, sikurse terapitë online, mund t’iu ndihmojnë njerëzve që të menaxhojnë stresin dhe të ulin rreziqet pr varësi”.

“Ndërkohë, përdorimi i tepërt i sheqerit digjital sikurse lojërat, pornografia dhe përdorimi i rrjeteve sociale jashtë nevojës së punës, mund të rrisin rreziqet e varësisë, sidomos nëse këto aktivitete përdoren për t’i ikur stresit ditor”.

Doan shqetësohet se marrë parasysh sasinë e kohës që të gjithë e kalojmë online, numri i personave me varësi në internet do të rritet.

Megjithatë, Cam Adair shpreson se kompanitë teknologjike si Linewize, BetBlocker dhe GamBlock, mund të luajnë rol të rëndësishëm për të ulur rreziqet.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që secili që frikësohet se ka ndonjë formë të varësisë, të kontaktojë mjekun.

Puna e Adairit është publikuar në një revistë shkencore për psikiatri dhe ai tani njihet si folës ndërkombëtar për çështje të varësisë.

“Kërkimi i ndihmës më ka shpëtuar jetën”, ka thënë ai.

“Kam qenë i tërhequr, i izoluar, armiqësor dhe i paqasshëm gjatë varësisë sime. Tani jam i hapur dhe i gatshëm për t’u përballur me streset e jetës normale”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG