Ndërlidhjet

Të rinjtë, të varur nga smartphone-t


Fotografi ilustruese (Fotot Shutterstock)
Fotografi ilustruese (Fotot Shutterstock)
Përdorimi i teknologjisë, kompjuterëve dhe celularëve të quajtur smartphone për t’u futur në rrjetet e ndryshme të internetit, fillimisht ka qenë nevojë e të rinjve për ta lehtësuar përditshmërinë në shumë aspekte, por tashmë një gjë e tillë është shndërruar në varësi, vlerësojnë disa të rinj të Kosovës.

Në rubrikën tonë të përjavshme “VOX”, ata theksojnë se kjo varësi, po i reflekton anët negative, jo vetëm në shpenzimin kohës së vlefshme, por edhe në raportet sociale ndërmjet të rinjve.

Arbër Mehmeti, student në Fakultetin e Shkencave Politike në Prishtinë, thotë se të rinjtë, në përditshmërinë e tyre, sot rrethohen nga teknologjia dhe interneti.


Sipas tij, ato shërbejnë për t’u informuar për studimet dhe materialet që u nevojiten për këtë qëllim. Por, për Arbërin, përdorimi i kësaj teknologjie mund të quhet nevojë vetëm deri në momentin kur ajo nuk shndërrohet në varësi dhe, sipas tij, një gjë e tillë tashmë po u ndodhë shumicës së të rinjve.

“Janë të varur prej celularëve, prej laptopëve. Në qoftë se edhe në kafene rri, në qoftë se edhe në ligjërata je, pa hyrë në telefon dhe pa shikuar se a ka ndonjë gjë të re, nuk po mund të shpëtojnë. Nuk po mund të ndahen, të paktën, për 3 ose 4 orë e të mos hyjnë. Shumicës iu duket - ndoshta po nisem edhe nga vetja - se janë mbetur mbrapa në ndonjë aspekt, por kjo është e tepërt”, konsideron Arbëri.

Mendim të ngjashëm ka edhe Dardana Sadiku, studente e Fakultetit të Arkitekturës, e cila thotë se fillimisht kjo teknologji ka shërbyer për të arritur deri tek idetë e reja gjatë studimeve, por tashmë ajo është shndërruar në, siç e quan ajo, pjesë të jetës.

“Më shumë është bërë si pjesë e jetës. Në fillim ka qenë vetëm si nevojë, por me kalimin e kohës është bërë edhe si varësi. Për shembull, në lokale, kur ulemi, nuk kemi nevojë të hyjmë në internet, por thjesht, është një instinkt që të shtyn të hysh e të shohësh çka ka, çka ka ndodhur, a ka diçka të re. Nganjëherë më largon edhe prej mësimit, më humb kohë, duke thënë, hajt edhe pak, edhe pak...”, pohon Dardana.

Arti Mahalla, nxënës i shkollës së mesme, shpreh mendimin se më shumë varësi kanë krijuar celularët, për faktin se ata mund t’i kesh me vete ngado.

“Faktikisht, mendoj se është bërë varësi (celulari), sepse ai mund të hyjë edhe me një kompjuter të thjeshtë në Facebook, për shembull. Mirëpo, pasi që i ka mundësitë, shkon e merr atë telefon, për shkak të asaj varësie dhe dëshirës së madhe, që faktikisht ndoshta është luks - ai telefon i bëhet varësi. Pastaj, rrjetet sociale, ato mund të shndërrohen në varësi në vete, pa telefon fare, Facebook-u etj.”, shprehet Arti.

Por, sa mund të jetë i varur nga celulari smartphone një i ri, Labinot Hasani, student në Fakultetin e Arteve Aplikative, merr shembull veten.

“Personalisht, më ka ndodhur që telefonin e kam pasur pa bateri dhe më ka krijuar kompleks, ku është telefoni, pse nuk po bën, kisha kontrolluar në internet etj. Më shumë duket si varësi. Ajo të ngjitet dhe nuk hiqet fare”, thotë Labinoti.

Rita Kalaveshi, studente e Fakultetit të Arkitekturës vlerëson se smartphoni dhe kompjuteri janë nevojë, por edhe krijojnë varësi.

“Janë një ndihmë shumë e madhe. Ndoshta, në fillim janë zbuluar si nevojë, por mendoj se me kalimin e kohës, tashmë janë shndërruar në varësi. Mendoj që në mënyrë instiktive e nxjerr celularin dhe lidhem me internetin, pa pasur kurrë farë nevoje”, vlerëson Rita.

Valbona Berisha e quan edhe sëmundje, varësinë nga teknologjia që jep mundësinë e kyçjes në internet. Por, sipas saj, mund të jetohet edhe pa këtë teknologji.

“Normalisht se janë bërë edhe si varësi, sepse tash e kanë bërë edhe si lloj sëmundje, sepse njerëzit shumë po varen prej tyre. Domethënë, kur i thua dikujt se a mund të jetosh pa një telefon, thotë se nuk mund të jetoj. Shtrohet pyetja, çfarë kanë bërë njerëzit para neve ? Unë të gjitha i përdori, por nuk mund të them se nuk do të kisha mundur të jetoj pa ta”, thekson Valbona.

Por, ja se si e sheh këtë fenomen Erdin Janovali:

“Teknologjia është nevojë deri në një shkallë, sepse i plotëson shumë kërkesa. Disa edhe na duhen, sepse nuk kemi kohë për shumë gjëra që t’i hulumtojmë hap pas hapi, përderisa i kemi të gatshme në internet. Mirëpo, në njëfarë mënyre, ka kaluar edhe në varësi kohët e fundit. Rinia e humbin shumë kohën në to, duke përfshirë edhe veten, sepse nuk po flas vetëm në emër të tjerëve”.

“Duhet t’ia caktojmë vetes deri kur dhe sa kohë të harxhojmë në internet. Përndryshe, kalon në varësi dhe ka shans që edhe në të ardhmen t’ia shohim sherrin. Shumica e kohës shkon me smartphone, sa që mua shumë më pengon dhe ua them edhe shokëve haptas, që të paktën, kur të dalim, t’i mbajmë smartphone-t në xhepa. Por, nuk e di...”.


Edmond Boshnjaku, student i Fakultetit Teknik thotë se të rinjtë, të paktën kur gjenden në shoqëri me njëri-tjetrin, duhet t’i ikin virtualitetit dhe ta shfrytëzojnë kohën për komunikim dhe për të krijuar raporte shoqërore reale.

Me shaka, ai thotë se ekziston zgjidhja edhe për këto situata.

“Na ndodh, për shembull, të shkojmë në kafene, të pimë kafe dhe ai e nxjerr telefonin dhe po ashtu edhe unë. Hyjmë në Facebook, Tëitter dhe rrjetet sociale. Rrimë ashtu dhe ndodhë që shkojnë 20 minuta pa folur me njëri-tjetrin, duke u marrë me gjëra tjera, me smartphone. Po e humb kuptimin kjo. Por, ka dalë edhe një lloj loje. Për shembull, kur dalin shoqëria, i vendosin të gjithë telefonat, një mbi një. Cili e kap i pari telefonin e tij, ai i paguan pijet. Kjo është zgjidhja e vetme”, tregon Edmondi.
XS
SM
MD
LG