Ndërlidhjet

Reformat në administratë, pjesë e fushatës parazgjedhore


Flamuri i Maqedonisë së Veriut, fotografi nga arkivi.

Administrata e Maqedonisë së Veriut, sipas njohësve, vazhdon të mbetet pre e politikës dhe presioni ndaj saj, bëhet më i dukshëm gjatë proceseve zgjedhore. Këto komente vijnë si reagim ndaj deklarimit të liderit të Lidhjes Socialdemokrate, njëherësh ish-kryeministrit Zoran Zaev, i cili është shprehur se do ta shkurtojë administratën për 20 për qind, nëse del partia e parë në zgjedhjet e 12 prillit.

Por, partia opozitare maqedonase, VMRO-DMPNE ka kritikuar këtë qëndrim të Zaevit, duke e cilësuar si “dyfytyrësi”, pasi siç janë shprehur, se vetëm para dy-tre muajsh, partia e Zaevit, që është në pushtet, ka punësuar mijëra persona në administratë.

Ndërkaq, partitë shqiptare, elektoratit i kanë premtuar se do të rrisin numrin e shqiptarëve në administratë.

Njohësit e çështjeve politike thonë se punëtorët e administratës mbahen peng gjatë proceseve zgjedhore, pasi ata konsiderohen se mund të sjellin vota të sigurta.

Bashkim Selmani, ligjërues në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se politika në Maqedoninë e Veriut ka dështuar ta reformojë administratën edhe pse kjo vërejtje është theksuar në të gjitha raportet e Komisionit Evropian.

Selmani shton se partitë politike në Maqedoni të Veriut, gjatë fushatave zgjedhore, zotohen se do ta reformojnë administratën duke ulur numrin e të punësuarve, por sipas tij, asnjëra parti nuk ka guxim të bëjë spastrim të tillë në administratën shtetërore.

“Administrata publike jo vetëm që është e mbingarkuar, por ajo që nga pavarësia e shtetit deri në ditët e sotme, paraqet një nga problemet bazë, mbingarkimi i saj, është sepse administrata shihet si formë punësimi për interesa partiake sesa si përkujdesje e partive politike që administrata e shtetit të vihet në funksion të interesave të qytetarëve. Edhe deklarata e fundit e Zaevit (v.j. mbi planet për ta shkurtuar administratën) nuk besoj se do të ketë guxim ta bëjë këtë, por më tepër do të thosha se kjo deklaratë paraqet një konstatim të gjendjes reale me të cilën përballet aktualisht administrata në Maqedoninë e Veriut. Asnjëra nga partitë në vend nuk është marrë me cilësinë e funksionalitetin e administratorëve, që të jenë më efektiv në ofrimin e shërbimeve”, thotë Selmani.

Ndërkaq, Dragan Gocevski, ligjërues në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet tek administrata e shtetit, nuk është numri i madh i të punësuarve, por kualifikimi joadekuatë i punonjësve, pasi sipas tij, punonjësit e administratës punësohen sipas çelësit partiak.

Sipas Gocevskit, shqetësues mbetet fakti se shumica e punëtorëve të kualifikuar të administratës, po largohen nga vendi.

“Për mua, më shqetësues është fakti se nga administrata po largohen profesionistët sepse nuk arrijnë t’i bëjnë ballë presionit politik dhe si profesionistë me përvojë në lëmi të caktuar, ata lehtësisht gjinden në sektorin real. Në administratën shtetërore mungojnë inxhinierët e teknologjisë informative, juristët, punonjësit në kulturë etj. Pra, problemi qëndron në atë se kush do të mbetet të punojë në administratë dhe jo sesa punonjës numëron administrata dhe se a do të zvogëlohet numri i tyre”, thotë Gocevski.

Për vite të tëra, përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se reformimi i administratës është çështje me prioritet për vendin. Administrata në Maqedoninë e Veriut numëron rreth 140 mijë punonjës.

XS
SM
MD
LG