Ndërlidhjet

Sanksione ndaj personazheve të aferave korruptive


Ilustrim

Personat e përfshirë në raste të dyshuara si afera të korrupsionit dhe krimit të organizuar, pjesë e të cilave janë zyrtarë apo ish-zyrtarë shtetëror të Kosovës, së shpejti mund të përballen me sanksionet e para ndërkombëtare, që përfshijnë refuzimin e vizave dhe udhëtimin e tyre në shtete të caktuara.

Paralajmërimet e para, kanë ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Ndërkohë, shoqëria civile në Kosovë, inkurajon autoritetet vendore që të harmonizojnë kornizën ligjore, në mënyrë që persona të përfshirë në afera krimi e korrupsioni të mos mund t’i mbajnë fare funksionet e tyre publike.

Duke përmendur me emra, rastet ku zyrtarë të lartë shtetërorë, ndër të tjera, janë të dyshuar korrupsion, mashtrim e krim të organizuar – më herët gjatë këtij muaji – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë, njoftoi se nuk do t’i pajisë me viza individët e përfshirë në rastet e krimit dhe korrupsionit.

Në njoftimin e saj, Ambasada e SHBA-së ka shprehur shqetësimin që “askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës” për rastet e mëdha, duke veçuar rastet: Pronto, viza italiane, ikjen nga burgu i Dubravës, Toka dhe Apex.

“Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, ka theksuar Ambasada në njoftimin e saj.

Këtë vendim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka mbështetur edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, në Prishtinë. Ambasadori Britanik, Ruairi O’Connell, përmes një deklarate në “Facebook”, ka paralajmëruar masa të njëjta për të përfshirët në afera korruptive dhe krim të organizuar.

“Cilido që ka histori kriminale dhe që ka lidhje me korrupsionin, nuk do të mund të hyjë në Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar O’Connell.

Në rastet e veçuara nga ambasada e SHBA-së, si të akuzuar, janë të përshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, si: ministra aktual dhe ish-ministra në Qeverinë e Kosovës, ish-zëvendësministra, deputetë e ish-deputetë, ish-kryetarë komunash, këshilltarë politikë, drejtorë ndërmarrjesh dhe zyrtarë tjerë, nga pushteti qendror dhe lokal.

Duke mbështetur veprimet e dy ambasadave, shoqëria civile po kërkon që “mosdhënia e vizave” të mos jetë ndëshkimi i vetëm, për të përfshirët në krim të organizuar dhe korrupsion.

​Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka kritikuar sistemin gjyqësor dhe prokurorial për “mungesë rezultatesh dhe ndërtim të kulturës së pandëshkueshmërisë në rastet e profilit të lartë”.

“Reagimet e dy ambasadave kryesore, amerikane dhe britanike, të cilat më në fund kanë filluar të kenë një qasje tjetër, në njëfarë mënyre duke i ndëshkuar zyrtarët e lartë të korruptuar, është një qasje e re, e cila sigurisht që mund të ketë ndikimin e vetë, ku përfshihet ngritja e llogaridhënies, ngritja e përgjegjësisë së sistemit gjyqësor dhe prokuroria në Kosovë”, ka theksuar Miftaraj.

Por, sipas Miftarajt, pos refuzimit të vizave, ambasada e SHBA-së, ajo e Mbretërisë së Bashkuar dhe ambasadat tjera “të fuqishme”, duhet të ndërpresin bashkëpunimin me zyrtarët e dyshuar ose akuzuar, për përfshirje në afera korruptive e krim të organizuar.

“Sidoqoftë, këto deklarata nuk do të kenë efektin e vet, nëse edhe në praktikë nuk ndërmerren veprime shtesë, ku përveç zyrtarëve politikë të korruptuar, si ambasada Amerikane dhe Britanike, por edhe ambasadat tjera të fuqishme, duhet t’i anashkalojnë dhe nuk duhet të kenë bashkëpunim me akterët kryesorë të sistemit të drejtësisë, për të cilët tanimë në publik janë ngritur dyshime të bazuara për korrupsion, për lidhje qoftë me politikën, qoftë me grupe të interesit apo grupe kriminale”, ka thënë tutje ai.

Ndërsa, Arton Demhasaj, drejtor i organizatës jo-qeveritare “Çohu”, ka thënë se institucionet e drejtësisë duhet “të përfundojnë me kohë hetimet dhe dërgojnë në vuajtje të dënimit, të përfshirët në afera korruptive dhe krim të organizuar”.

Në mungesë të dorëheqjeve morale, sipas Demhasajt, zyrtarët e përfshirë raste të tilla, fillimisht, duhet të detyrohen me ligj që të japin dorëheqje ose të shkarkohen, në mënyrë që të mbrohet imazhi i shtetit dhe funksionimi institucioneve.

“Vazhdimisht, si shoqëri civile, por edhe ne si ‘Çohu’, kemi avokuar që të bëhet një ligj, që t’u pamundësohet (mbajtja e funksionit) zyrtarëve të lartë publik, të cilët janë të përshirë në afera korruptive ose krim të organizuar”.

“Në momentin kur ngritet një aktakuzë ndaj tyre, të obligohen të japin dorëheqje nga funksionet që ata i mbajnë, sepse konsiderojmë që është e padrejtë të mbahet funksioni dhe është e dëmshme për institucionin, në momentin kur ndaj një ministri, ndaj një kryetari komune, ndaj një sekretari apo ndaj një zyrtari tjetër të lartë shtetëror, ngritet një aktakuzë për korrupsion dhe krim të organizuar dhe ai të mbajë dhe vazhdojë të ushtrojë funksionin, ne konsiderojmë që është shumë e dëmshme”, ka theksuar Demhasaj.

Në tre vjetët e fundit në Kosovë, asnjë zyrtarë i profilit të lartë nuk është dënuar për korrupsion me aktgjykim të formës së prerë dhe burg efektiv.

Në prokuroritë dhe gjykatat vendore, mbesin ende qindra raste të papërfunduara që lidhen me korrupsionin. Ndërsa mungesa e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, vazhdimisht, është vlerësuar si pengesë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, në Kosovë.

XS
SM
MD
LG