Ndërlidhjet

Afganët arrijnë në Shkup deri në fund të javës


Njerëzit presin të evakuohen nga Afganistani në aeroportin e Kabulit më 18 gusht 2021.
Njerëzit presin të evakuohen nga Afganistani në aeroportin e Kabulit më 18 gusht 2021.

Deri në fund të javës 450 afganë pritet të arrijnë në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur të mërkurën (18 gusht) Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Ardhja e tyre do të varet nga rrethanat në Aeroportin e Kabulit.

"Maqedonia e Veriut ishte ndër vendet e para, nëse jo e para që u bashkua me Shtetet e Bashkuara dhe ofroi ndihmë për këta njerëz në rrezik nga ardhja e regjimit talibanë në Afganistan," tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.

Sipas njoftimit të qeverisë “njerëzit që do të vijnë në Maqedoninë e Veriut janë të punësuar në misione humanitare dhe paqeruajtëse ose janë anëtarë të familjeve të tyre, pastaj aktivistë të të drejtave të njeriut, gazetarë, përkthyes, studentë, bursistë dhe qytetarë që kanë mbështetur forcat aleate të NATO -s në Afganistan për 20 vitet e fundit. përfshirë ushtrinë maqedonase”.

Ata do të akomodohen në hotele dhe motele, ndërsa shpenzimet do të mbulohen nga Shtetet e Bashkuara dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Sipas qeverisë, afganët që mbërrijnë në Maqedoninë e Veriut më pas do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara ose vende të tjera si destinacioni i tyre përfundimtar.

Shqipëria gati për të pritur afganët
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:58 0:00

Qeveria ka hedhur poshtë reagimet se vendin e pret valë e re e emigrantëve nga Afganistani.

“Asnjë krizë emigrantësh nuk po i ndodh Maqedonisë së Veriut, përkundrazi, vendi jonë është pjesë i një operacioni të madh humanitar global për të shpëtuar popullatën paqësore afgane në rrezik nga strukturat ekstremiste talibane”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe Kosova e Shqipëria kanë shprehur gatishmëri për të mirëpritur afganët që janë duke ikur nga shteti i tyre.

Autoritetet në të dyja vendet kanë konfirmuar se kanë diskutuar me autoritetet amerikane për strehimin e tyre, ndonëse ende nuk dihet saktë sa persona do të strehojnë ato.

Grupi i parë i afganëve pritet të arrijë të mërkurën në Shqipëri. Autoritetet kanë konfirmuar se ata do të strehohen në Tiranë dhe Durrës.

Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara. Qeveria ka rënë dhe presidenti Ashraf Ghani ka ikur nga shteti.

XS
SM
MD
LG