Mbi 165.000 afganë janë larguar nga Pakistani gjatë këtij muaji, që kur Islamabadi lëshoi një ultimatum për 1.7 milion persona që të largohen ose do të përballen me arrestim apo dëbim, thanë zyrtarët më 2 nëntor.
Shumica janë larguar ditëve të fundit, pasi afati i fundit ishte më 1 nëntor dhe policia nisi të hapte dhjetëra qendra të ndalimit për të dërguar afganët e arrestuar.
Zyrtarët në pikën kufitare Torkam në provincën Kiber Paktunkva, punuan në orët e mëngjesit të së enjtes në mënyrë që të kalonin makinat me 28.000 persona. Kolona e makinave ishte e gjatë për shtatë kilometra.
Autoritetet në Pakistan kanë inkurajuar afganët që nuk kanë dokumente të qëndrimit që të largohen në mënyrë vullnetare, përderisa policia ka nisur operacionet e kërkimit.
“Afganët ilegalë kanë arritur në Torkam dhe numri ka qenë i madh për shkak të afatit. Njerëzit edhe sot po largohen në mënyrë vullnetare”, tha për AFP-në, zëvendëskomisionari i qarkut kufitar, Abdul Nasir Khan.
Afganët tentojnë të largohen para afatit të Pakistanit për dëbim
Islamabadi ka përdorur kërcënimet dhe abuzimet për të detyruar rreth 1.7 milion emigrantë afganë që kishin hyrë paligjshëm në Pakistan, të largohen nga vendi para afatit të 1 nëntorit, tha organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch (HRW).
"Afati i shpallur i Pakistanit për kthimin e afganëve ka çuar në ndalime, rrahje dhe zhvatje, duke lënë mijëra afganë të frikësuar për të ardhmen e tyre", tha Fereshta Abbasi, studiuese e HRW-së për Afganistan.
"Situata në Afganistan mbetet e rrezikshme për shumë afganë që ikën dhe dëbimi do t'i ekspozojë ata ndaj rreziqeve serioze për sigurinë e tyre, duke përfshirë kërcënimet për jetën dhe mirëqenien e tyre", tha Abbasi.
Human Rights Watch tha gjithashtu se shumë afganë që janë në pritje të risistemimit në Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani dhe Kanada janë në rrezik për t'u deportuar.
Më 3 tetor, Ministria e Brendshme pakistaneze njoftoi se të gjithë emigrantët pa dokumente në Pakistan, duhej të largoheshin nga vendi brenda 28 ditëve. Që nga 27 tetori, rreth 60.000 afganë ishin larguar nga Pakistani, njoftuan Kombet e Bashkuara. Shumë prej tyre përmendën frikën nga arrestimi në Pakistan si arsyen kryesore të kthimit.
HRW-ja tha se dëbimet "shkelin detyrimet e Pakistanit si palë në Konventën e OKB-së Kundër Torturës dhe sipas parimit të së drejtës ndërkombëtare zakonore të moskthimit - për të mos i kthyer me forcë njerëzit në vendet ku ata përballen me një rrezik të qartë torture ose persekutimi tjetër," shkroi Human Rights Watch.
Fushata e dëbimit është kritikuar gjerësisht nga agjencitë e OKB-së, grupet e të drejtave të njeriut dhe administrata e udhëhequr nga talibanët në Afganistan. Me miliona afganë që tashmë jetojnë mes pasigurisë ushqimore, situata humanitare edhe ashtu e rëndë, mund të përkeqësohet me ardhjen e afganëve të varfër nga Pakistani.
Zyrtarët pakistanezë thanë se pikat kufitare me fganistanin, Torkham dhe Çaman, do të mbeten të hapura përtej orës 16:00.
Që nga rrëzimi i qeverisë afgane të mbështetur nga perëndimi dhe marrja e vendit në gusht të vitit 2021, talibanët kanë vendosur kufizime në pamjen e grave, lirinë e lëvizjes, të drejtën për të punuar dhe studiuar dhe qasjen në shoqëri. Kufizime janë vendosur edhe për mediat, aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile.
Nga provinca Kiber Paktunkva, sipas zyrtarëve, janë larguar 129.000 persona, ndërkaq nga Boliçistani janë larguar edhe 38.100 të tjerë.
Miliona afganë ishin larguar për në Pakistan dekadave të fundit për shkak të dhunës në shtetin e tyre. Vlerësohet se 600.000 afganë janë larguar që kur talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021 dhe vendosën kufizime të ashpra.
Pakistani tha se dëbimi i afganëve po bëhej për të mbrojtur “sigurinë” e shtetit, pasi së fundi janë rritur ndjeshëm sulmet, për të cilat Qeveria pakistaneze ka fajësuar militantët që operojnë nga Afganistani.
Ambasada afgane në Islamabad tha se ky vendim do të dëmtojë edhe më tej raportet mes dy shteteve fqinje.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Qeverinë pakistaneze se po përdor kërcënimet, abuzimet dhe ndalimet për të detyruar azilkërkuesit afganë që të largohen, përderisa grupet kanë raportuar se javëve të fundit ka pasur arrestime arbitrare të afganëve.