Ndërlidhjet

Afganistan: Përkundër sulmeve, IS-i po dëshmon qëndrueshmëri


Ilustrim

Fushata këmbëngulëse aktuale ajrore dhe tokësore kundër një grupi të afërt me Shtetin Islamik (IS) në Afganistan, nuk duhket se në mënyrë radikale e ka dëmtuar aftësinë e këtij grupi miliant nga zgjerimi gjeografik në këtë vend të përfshirë nga lufta, kanë thënë analistët, të cilët nga Radio Evropa e Lirë janë pyetur për ta vlerësuar progresin kundër kapacitetit të tillë të radikalëve në Afganistan.

Forcat amerikane dhe afgane kanë ndërmarrë një fushatë këmbëngulëse për shkatërrimin e Shtetit Islamik në Khorasan (ISIS-K), prej se kjo degë e IS-it është paraqitur në vitin 2015, ndërsa Uashingtoni dhe Kabuli kanë pretenduar se nga fushata e tyre janë vrarë qindra militantë dhe komandantë, përfshirë dhe liderët e tyre.

Por, spekulimet për shkatërrimin e këtij grupi dolën se janë të parakohshme, pasi ai u zgjerua në së paku pesë provinca afgane; nga Nangarhari, Kunari dhe Nuristani në lindje, e deri te Javzjani në veri dhe Ghori në perëndim.

ISIS-K ka vazhduar, po ashtu, të ndërmarrë një varg të sulmeve të profilit të lartë që duket se për cak i kanë kryesisht anëtarët e komunitetit shiitë, Hazara.

Raporohet se presidenti Trump është i irrituar

Zyrtarët ushtarakë amerikanë pohojnë se grupi është në tërheqje, megjithqë në raportet e javës së fundit pretendohej se presidenti amerikan, Donald Trump, i irrituar, aktualisht u ka thënë zyrtarëve të tij të lartë se “ne nuk po fitojmë... ne po humbim” në luftën në Afganistan, nga grupet militante, siç janë talibanët, al-Kaida dhe ISIS-K.

Analistët thonë se ISIS-K as nuk është grup monolit, e as zgjatje direkte e grupit ekstremist, Shteti islamik (IS), në Irak dhe Siri, dhe ai më tepër përfaqëson një aleancë të grupeve të ndara nga talibanët afganë dhe pakistanezë, me elemente të grupeve militante rajonale, siç është Lëvizja Islamike e Uzbekistanit (IMU) dhe grupi, Lashkar-e Jhangvi, me seli në Pakistan.

Sipas analistëve, këto grupe thjesht e kanë ndryshuar emrin e tyre për të marrë fonde dhe për ta përsëritur suksesin e militantëve të Shtetit Islamik në Lindjen e Mesme.

Grupi ISIS-K është “shumë i qëndrueshëm”

Grupi është dëshmuar me fleksibilitet të jashtëzakonshëm në Afganistan, pasi ai doli nga rajoni dhe ka operuar atje për një kohë të gjatë”, thotë Ahmad K. Majidyar, ekspert për Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme.

Mëtutje, ky analist konsideron se nuk është koincidencë që ISIS-K ka dalur gjatë ofensivës ushtarake të armatës së Pakistanit, që ka filluar në vitin 2014, me ç’rast janë përzënë një mori e grupeve militante nga hapësirat fisnore të trazuara të Pakistanit, në pjesën lindore të Afganistanit, ku ISIS-K i ka krijuar selitë e veta.

Zëdhënësi i NATO-s në Afganistan, William K. Salvin, kapiten amerikan, i tha Radios Evropa e Lirë se ISIS-K “është në ikje në Afganistan” dhe ka shtuar se numri i militantëve të këtij grupi ka rënë në afro 1 mijë vetë, nga 3 mijë, megjithqë ka pranuar se grupi i ka zgjeruar aktivitetet e veta në pjesën perëndimore dhe veriore të Afganistanit.

Në muajin prill të këtij viti, ushtria e Shteteve të bashkuara në Afganistan, e ka hedhur bombën masive të tipit GBU-43/B, e cila konsiderohet se është “nëna e të gjitha bombave”, në përpjekje për t’i shkatërruar strehimet e Shtetit Islamik në një kompleks të tuneleve dhe bukerëve, në pjesën lindore të provincës Nangarhar.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se bomba i ka vrarë më se 90 militantë, megjithqë luftimet në këtë hapësirë kanë vazhduar.

Militantët zhvendosen nga Lindja e Mesme

Qëndrueshmëria e luftëtarëve të grupit, ISIS-K, në Afganistan ka shkaktuar shqetësime për rrjedhjen e mundshme të militantëve nga Siria dhe Iraku në Afganistan.

Aktualisht ka pak dëshmi për zhvendosjen e militantëve nga Siria dhe Iraku, megjithqë zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes së Afganistanit, gjeneral Dawlat Waziri, tha së fundit se qeveria ka vëzhguar rritje të numrave të luftëtarëve të jashtëm dhe armatimit, që kanë hyrë në Afganistan.

Michael Kugelman, ekspert nga Qendra Woodrow Wilson në Uashington, thotë se ka arsye të besohet se disa luftëtarë të Shtetit Islamik po depërtojnë në Afganistan nga Lindja e Mesme, pasi atje janë shkatërruar bazat ku ishin strehuar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG