Mungesa e luftës në Afganistan gjatë pesë vjetëve që kur talianët rimorën pushtetin, teksa forcat ndërkombëtare u tërhoqën nga vendi, nuk nënkupton siguri për popullin afgan, u tha në një panel diskutimi të organizuar nga Radio Evropa e Lirë (REL).
Paneli – ku morën pjesë zëvendëspresidentja dhe shefja e operacioneve në REL, Lisa Curtis, ish-këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, gjenerali H.R. McMaster, ish-ambasadorja afgane në Norvegji, Shukria Barakzai, dhe eksperti rajonal Ahmad Khalid Majidyar – vuri në pah se, ndonëse kanë kaluar pesë vjet që kur talibanët rimorën pushtetin, Afganistani mbetet në një udhëkryq kritik, me gratë që janë përjashtuar nga jeta publike dhe me shtypjen e lirisë së medias dhe të shoqërisë civile.
“Siguria është më shumë se mungesa e luftës”, tha Barakzai gjatë diskutimit, duke kundërshtuar argumentin e zyrtarëve talibanë se ata kanë sjellë stabilitet dhe siguri në një vend të shkatërruar nga dekada luftë.
“Nëse një vajzë nuk mund të shkojë në shkollë, një grua nuk mund të shkojë në punë apo të lëvizë lirshëm, një gazetar nuk mund të flasë lirshëm në Afganistan dhe nuk mund ta mbulojë një temë, nëse njerëzit nuk mund të marrin pjesë në vendimmarrjen për të ardhmen e vendit të tyre, kjo nuk është siguri e vërtetë”.
Video: Rrëfimi i gazetares së REL-it për marrjen e Kabulit nga talibanët
Kur morën pushtetin në gusht të vitit 2021, zyrtarët talibanë premtuan se afganët do të kishin më shumë liri dhe të drejta sesa nën regjimin e rreptë që kishte qenë kur grupi kishte pushtetin më herët. Por, qeveria e udhëhequr nga talibanët nuk i ka përmbushur premtimet e saj dhe ka kryer një fushatë shtypëse ndaj shumë grupe, veçmas ndaj grave dhe vajzave.
Talibanët kryesisht i kanë përjashtuar gratë nga jeta publike dhe kanë vendosur kufizime të ashpra sa i përket pamjes së tyre, lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për të punuar e studiuar. Gjatë tre vjetëve të fundit, asnjë vajzë nuk ka diplomuar në universitet, pas ndalimit gjithëpërfshirës të arsimimit të vajzave përtej klasës së gjashtë.
Në një tjetër sinjal se shtypja e talibanëve nuk po tregon shenja të ndaljes, regjimi radikal në fund të majit miratoi një ligj që legalizon martesën e vajzave që në moshën 9-vjeçare. Kreu i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, gjithashtu raportohet se ka nxjerrë direktiva të reja që ndalojnë përdorimin e telefonave të mençur.
Video: Talibanët afganë shkatërrojnë telefonat e mençur
McMaster, gjenerallejtënant në pension i ushtrisë amerikane, i cili shërbeu si këshilltari i 25-të i Shteteve të Bashkuara për sigurinë kombëtare nga viti 2017 deri më 2018,gjatë administratës së parë të presidentit amerikan Donald Trump, tha se për të mbajtur presionin ndaj talibanëve, shtetet dhe zyrtarët duhet ta pranojnë se ky grup është një “organizatë terroriste transnacionale e lidhur me Al-Kaidën, e lidhur me [agjencinë e fuqishme të inteligjencës ushtarake të Pakistanit], ISI, e cila i armatos, furnizon dhe pajis ata”.
Për më tepër, bota duhet “t’i dobësojë forcat e tyre të sigurisë, këta krahë të qeverisë që shtypin brutalisht lirinë”, tha McMaster.
Talibanët kanë shfuqizuar të gjitha institucionet demokratike dhe organet këshilluese, duke përqendruar vendimmarrjen rreth Akhundzadës, i cili ka nxjerrë një varg dekretesh – shumë prej tyre që lidhen me vajzat dhe gratë – pa paraqitur ndonjë plan gjithëpërfshirës apo udhërrëfyes për të siguruar qeverisje të mirë dhe prosperitet ekonomik.
Në të njëjtën kohë, talibanët, që janë kryesisht të etnisë pashtune dhe janë me prejardhje kryesisht në jug dhe juglindje të Afganistanit, kanë përqendruar pushtetin në të gjitha nivelet tek udhëheqësit, komandantët dhe anëtarët e tyre të lartë.
Talibanët po ashtu kanë nisur përpjekjet për të krijuar kontakte me komunitetin ndërkombëtar, një përpjekje që analistët thonë se ka të ngjarë të lidhet, të paktën pjesërisht, me përpjekjet për të tërhequr ndihma dhe investime të huaja, si dhe për të stabilizuar ekonominë.
Ndërkohë, mungesa aktuale e qeverisjes, e shoqëruar me pasigurinë ekonomike në rritje, ka ngritur shqetësime te disa persona se Afganistani mund të rikthehet në një vatër pasigurie.
Curtis, e cila muajin e ardhshëm do të marrë detyrën e presidentes të REL-it, tha se përfshirja politike është thelbësore për stabilitetin afatgjatë të Afganistanit.
Megjithatë, aktualisht, “nuk ka asnjë mënyrë që ata që kundërshtojnë këtë regjim totalitar ta bëjnë këtë pa rrezikuar që të dëmtohen vetë ose të ndalohen paligjshëm”, shtoi ajo.
“Besoj se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që kanë të njëjtin qëndrim janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar për politikat shtypëse të talibanëve, veçanërisht ndaj grave, por edhe ndaj shoqërisë civile dhe mediave”, tha ajo.
“Besoj se, teksa e pranojmë këtë, do të shohim përpjekje më të mëdha në Shtetet e Bashkuara për t’i kërkuar llogari talibanëve dhe në Kongres, veçanërisht sepse e di se në Kongresin amerikan çështja e mbrojtjes së grave dhe vajzave afgane përkrahet nga dy partitë”.