Ndërlidhjet

S’ka ende asnjë aktakuzë ndaj grave të kthyera nga Siria


Gratë e kthyera nga Siria në Kosovë, foto në kampin

Prokuroria Speciale e Kosovës po i vazhdon ende hetimet në lidhje me 32 gratë e kthyera nga Siria në Kosovë në muajin prill të këtij viti.

Që të 32 gratë e riatdhesuara po hetohen nën dyshimet për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë faktin se ende nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë për gratë e riatdhesuara.

“Rasti i grave të riatdhesuara nga Siria, është ende në fazën e hetimeve nga ana e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ato po hetohen për veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga neni 3 paragrafi 3, “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Tani, janë bërë tre muaj prej se 32 gratë e kthyera nga Siria po qëndrojnë në arrest shtëpiak.

Në vitin 2015, institucionet e Kosovës miratuan një ligj të posaçëm, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja në luftërat e huaja, ku parashihen edhe dënime për personat që marrin pjesë në këto luftëra.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa nga avokatet mbrojtëse të grave që janë në arrest shtëpiak.

Avokatet kanë konfirmuar faktin se gratë vazhdojnë ta kenë masën e njëjtë.

Avokatja Fehmje Gashi-Bytyqi tha se gratë e kthyera nga Siria janë duke marrë ndihmën e nevojshme shtetërore në procesin e riintegrimit.

“Kosova është i vetmi shtet në Evropë, që edhe i ka kthyer edhe po i përkrahë në integrim. Hetimet janë ende në procedurë dhe me sa di unë, rasti u është shpërndarë disa prokurorëve sepse janë shumë 32 persona”, tha avokatja Gashi – Bytyqi.

Se procedura është ende në fazën e hetimeve e konfirmon edhe avokatja Merita Bajraktari e cila mbron A.A, që kishte shkuar në Siri për siç kishte deklaruar para hetuesve, për të qenë pranë burrit të saj.

“Ende nuk është ngritur aktakuza dhe procedura është në fazën e hetimeve. Jemi nga fundi i masës së arrestit shtëpiak dhe tani bëhet propozimi o për vazhdim të masës o për ndërprerje”, tha avokatja Merita Bajraktari.

​Me 20 prill të këtij viti, Institucionet e Kosovës kthyen nga Siri 110 kosovarë, në mesin e tyre, katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, të cilët ishin nëpër kampe që kryesisht kontrolloheshin nga forcat kurde.

Katër luftëtarët u arrestuan menjëherë, ndërkohë që 32 gratë u intervistuan nga hetuesit për dyshimet për bashkim apo pjesëmarrje në organizata terroriste.

Nga ana tjetër, para pak ditësh, Radio Evropa e Lirë, intervistoi njërën nga gratë e kthyera në Kosovë e cila kërkoi që të mos i zbulohet identiteti. Ajo rrëfeu historinë e saj dhe atë që kishte përjetuar në Siri duke thënë se e shumë të vështirë të riintegrohet në Kosovë.

Ajo tha se me dëshirë do të jetonte në një shtet tjetër të Lindjes së Mesme, pasi sipas saj, do të kishte me lehtë të jetonte me mbulesën që ajo bart.

“Nuk ndjehem fajtore aspak sepse nuk kam marrë pjesë në gjëra të tilla. Unë mendoj se do ta kem të vështirë jetën këtu për shkak të problemeve që na bëjnë njerëzit përreth. Unë nuk jam e lirë për shembull që të dal me veshjen time në rrugë, kupton? Ndërsa atje për shembull e ke praktikuar, për vendet arabe po flas, mund të dalësh në rrugë, nuk te shikon askush ndërsa këtu po donë që të bëjnë ligj për heqjen e nikabit. Shumë e vështirë”, tha ajo.

Pas kthimit në Kosovë të katër luftëtareve, 32 grave dhe 74 fëmijë, në muajin prill, institucionet e Kosovës nuk bënë të ditur nëse do të kthejnë kosovarët e tjerë të mbetur në Siri.

XS
SM
MD
LG