Ndërlidhjet

Riintegrimi i vështirë i të kthyerve nga Siria


Sfida e riintegrimit të të kthyerve nga Siria
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Kthimi i më shumë se 100 qytetarëve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri, sipas zyrtarëve të shtetit, nuk duhet të shqetësojë qytetarët e tjerë të Kosovës, pasi personat e kthyer nuk paraqesin rrezik për sigurinë në Kosovë.

Koordinatori Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, Fatos Makolli, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e sigurisë janë duke kryer punën e tyre.

Sipas tij, edhe pse disa prej të kthyerve janë luftëtarë të huaj dhe kanë marrë pjesë në konfliktet në Siri dhe Irak, nuk duhet krijuar panik për ndonjë sulm të mundshëm terrorist.

“Qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt, institucionet e sigurisë janë duke i kryer detyrat dhe përgjegjësitë që i kanë. Është e vërtetë që një numër i qytetarëve kosovarë kanë pasur role udhëheqëse në zonat e konfliktit, por dihet fakti që shumica prej tyre kanë humbur jetën, janë vrarë në zonat e konfliktit, ku numri i të vrarëve tani kalon mbi 95 persona. Edhe kthimi i këtyre personave në Kosovë, katër luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre, ka qenë në vazhdën e një procesi të detajuar të analizave të bëra nga institucionet e sigurisë dhe institucionet do të jenë në kryerje të detyrës”, thotë Makolli.

Por, kthimi i 110 kosovarëve nga zonat e konfliktit në Siri, megjithatë i hap rrugë një sfide tjetër për shtetin e Kosovës. Riintegrimi i tyre, sipas Makollit, do të jetë shumë i vështirë, kur dihet se këta persona kanë qëndruar për disa vite në zona të konfliktit, derisa muajit e fundit, shumë gra dhe fëmijë nga Kosova kanë jetuar në kushte të rënda në kampe të ndryshme në territorin e Sirisë.

Problemi më i madh, sipas tij, do të jetë me gratë që kanë qëndruar në këto zona, pasi të njëjtat mund të stigmatizohen dhe ekziston frika që ato të mos pranohen në shoqëri.

“Fillimisht, është kryesisht faza e rehabilitimit, për faktin se të kthyerit kanë kaluar periudha të vështira në zona të konfliktit, qoftë në vendet ku kanë jetuar por edhe në kampe të ndryshme, ku ka familje që ka qëndruar për kohë të gjatë. Rehabilitimi dhe riintegrimi i personave që kthehen nga zonat e konfliktit ku kanë qëndruar për një kohë të gjatë, do të jetë i vështirë, do të ketë sfida të mëdha”, thotë Makolli.

Edhe Arton Demhasaj nga Organizata ÇOHU, thotë se riintegrimi i grave dhe i fëmijëve në shoqëri do të jetë mjaft i vështirë. Demhasaj thotë se shumica prej grave që ishin në këto zona të konfliktit, ishin martuar përsëri atje pasi iu ishin vrarë burrat, e kjo sipas tij, mund të paraqes tani problem për riintegrimin e tyre në shoqëri.

“Pjesa e martesave të grave atje, mundet ta vështirësojë procesin e riintegrimit të tyre. Pa marrë parasysh sa është e vështirë, shteti i Kosovës duhet të bëjë të gjithë hapat e nevojshëm që të mund të integrohen këta persona. Sidomos, te fëmijët, nëse ata nuk kthehen në shkollë, nuk fillojnë të vazhdojnë shkollimin, edukimin, atëherë sa më shumë që shtyhet ky proces, shumë më i vështirë do të jetë integrimi i tyre”, thotë Demhasaj.

Ai thotë se shoqëria kosovare duhet të tregohet e hapur dhe të pranojë këta qytetarë sërish në shoqëri.

“Ata janë njerëz tonë, janë banorë të këtij vendi, në një mënyrë ose tjetër Kosova ka obligim që të kujdeset për ta. Kështu që në këtë mënyrë duhet t’i qasemi edhe në aspektin e publikut, në mënyrë që të bindet publiku që ata njerëz janë të këtij vendi, edhe përkundër që kanë bërë gabime”, thotë Demhasaj.

Njëqindedhjetë kosovarët që për disa vite kanë qëndruar në zonat e konfliktit në Siri, u kthyen në Kosovë gjatë muajit të kaluar. Përmes Turqisë, në Aeroportin e Prishtinës erdhën 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 luftëtarë të huaj.

*Video: Rrugëtimi i 110 kosovarëve nga Siria në Kosovë

Rrugëtimi i 110 kosovarëve nga Siria në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:39 0:00

Makolli nuk ka treguar shumë detaje rreth këtij operacioni, por thotë se përgatitjet për kthimin e tyre, kishin filluar në mesin e vitit 2017 dhe çdo gjë ishte bërë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tjerë të Koalicionit Global kundër grupit militant Shteti Islamik.

“Institucionet e sigurisë në Kosovë, kanë qenë të përgatitura me kohë, e kanë mbuluar shumë mirë fenomenin e luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre, po ashtu edhe lëvizjet e tyre në zonat e konfliktit dhe kanë pasur një pasqyrë të qartë lidhur me të gjithë kosovarët që kanë qenë në zonat e konfliktit”, thotë Makolli.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se në Siri vazhdojnë të mbesin edhe dhjetëra qytetarë të Kosovës, mirëpo ende nuk dihet kur mund të kthehen.

XS
SM
MD
LG